Taklidi: Imitimi në Fe

[1]


Përkufizimi

El-Gazaliu e ka përkufizuar taklid-in si "aprovim, miratim të mendimit të dikujt pa dëshmi". Të tjerët e kanë përkufizuar si "veprim sipas mendimit të dikujt mendimi i të cilit vetvetiu nuk është dëshmi në fe". Të tretët thonë se ky është "aprovimi i mendimit të dikujt pa njohjen e argumenteve në të cilën ka zënë fill".

Në bazë të përkufizimeve paraprake mund të përfundojmë se Taklidi do të thotë miratimi i mendimit të dikujt pa njohjen e argumentimit dhe fuqisë së të njëjtit. Si shembull mund të na shërbejë njeriu i cili konsideron se është i lejuar divorci për shkak të mangësisë së njërit bashkëshort nga shkaku se një muxhtehid ka pasur mendim të tillë, duke mos pyetur dhe duke mos e njohur argumentimin dhe validitetin e tij.


Statusi i taklidit

Në bazë, sheri'ati e qorton dhe e përbuzë taklidin, sepse ky është pasim dhe ndjekje pa dëshmi dhe argument, dhe krahas kësaj shkakton fanatikë të përbuzur dhe anim te shumica e atyre e që ndjekin.

Dijetarët myslimanë janë ndarë lidhur me lejueshmërinë e pasimit në dispozitat praktike sheri'atike.

Disa në tërësi e ndalojnë dhe konsiderojnë se çdo njeri madhor dhe mentalisht i shëndoshë është i obliguar ta praktikojë ixhtihadin, domethënë, të bëjë përpjekje personale intelektuale me qëllim të njohjes së dispozitave sheri'atike nga burimet e tyre (ajeteve kur'anore dhe haditheve).

Grupi i dytë e dijetarëve konsideron se për çdo besimtarë lejohet ta pasojë tjetrin në dispozitat praktike sheri'atike, madje edhe atë i cili është në gjendje që ato dispozita t'i mësojë direkt nga burimet e tyre.

Përfundimisht, grupi i tretë i dijetarëve islamë bënë dallimin ndërmjet atyre të cilët janë në gjendje ta praktikojnë ixhtihadin dhe atyre të cilët nuk janë dhe konsiderojnë se taklidi është i ndaluar për kategorinë e parë, kurse është i lejuar për grupin e dytë. Ky njëherit është edhe mendimi më i drejtë.

Përndryshe, mjaft shumë diskutohet për taklidin. Disa e mbrojnë praktikimin e tij, deri sa të tjerët e sulmojnë. Këto diskutime jorrallë përfundojnë me urrejtje dhe armiqësi ndërmjet dy krahëve.

Mendoj se çështja është e qartë dhe e thjeshtë dhe se nuk ka arsye që rreth tij të zhvillohen diskutime të mëdha dhe të gjata.

Me fjalë të tjera, nga çdo person madhor dhe i mençur (mukel-lef) kërkohet t'i nënshtrohet Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këtë e argumentojnë dëshmi të shumta nga Kur'ani dhe Sunneti. Ja disa tekste: "E bindjuni All-llahut dhe të dërguarit, ashtu që të mëshiroheni!", (Ali 'Imran, 132).

"... Çka t'ju jep Pejgamberi, atë merreni e çka t'ju ndalojë, përmbajuni dhe kine frikë All-llahun, se All-llahu është ndëshkues i ashpër", (El-Hashr, 7).

"Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht", (En-Nisa', 65).

"Përvetësoni atë që ju është zbritur nga Zoti juaj, ..."!, (El-A'raf, 3).

Është pra obligim për çdo njeri të mençur dhe madhor, pa përjashtim, që t'i nënshtrohen Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Nga ky obligim rrjedh një tjetër, kurse kjo është detyrimi i njohjes së asaj që Allahu xh.sh. e ka përcaktuar në Kur'an dhe Sunnet. Njohja e asaj që Allahu e kërkon nga ne kërkon drejtimin tonë në tekstet e Kur'anit dhe të Sunnetit dhe nxjerrja e dispozitave juridike nga ato, kurse pas të kuptuarit të këtyre teksteve dhe njohjes se asaj se çka është synuar me ato. Nëse personi nuk gjen dispozitë në formën e qartë dhe të paluhatshme në ato tekste atëherë duhet ta ndërmarr hapin vijues, kurse kjo është mësymja për t'u marrë me ixhtihad në mënyrën si është paraparë kjo me sheriat.

Është detyrë e personit në këtë rast që në suaza të sheriatit, respektivisht në dritën e parimeve, synimeve dhe caqeve të tij universale, nga ato thënie të paqarta të nxjerr dispozitë sheriatike për çështjen e caktuar. Kjo është mënyra korrekte dhe më e mirë për njohjen e dispozitave sheriatiko-juridike. Por, pa dyshim se shfrytëzimi i kësaj metode kërkon nivel të caktuar dijeje dhe aftësi njohëse të cilat janë të ndryshueshme nga njeriu te njeriu që te disa individë të arrijnë atë nivel që iu mundëson dhe iu jep të drejtë ta bartin titullin e qartë të muxhtehidit.

Në rast se mukel-lefi nuk arrin ta njoh dispozitën sheriatike në këtë mënyrë i mbetet të veprojë ashtu si i ka urdhëruar Allahu, d.m.th. që për dispozitën e Allahut në çështjen apo rastin që i intereson t'i pyes ata të cilët dinë. Allahu xh.sh. thotë: "... e nëse nuk dini këtë, atëherë pyetni njerëzit e dijshëm!", (En-Nahl, 43 dhe El-Enbija', 7).

Nga ajeti është e qartë se personi i caktuar nuk ka detyrim ta pyes ndonjë alim të caktuar, dhe se nuk e ka pa tjetër t'i përmbahet vetëm një dijetari. Allahu nuk e ka detyruar në këtë dhe askush tjetër këtë nuk mund ta bëjë. Ajeti na urdhëron t'i pyesim "ata të cilët dinë", pra asnjë dijetarë të caktuar. Është detyrë e secilit ta zgjedh dijetarin i cili është më i dituri dhe më i devotshmi, kurse në bazë të asaj që e di për të. Këta janë kriteret sipas të cilëve duhet zgjedhur atë që do ta pyesin, kurse "All-llahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësive të veta ...", (El-Bekare, 286).

Ky është mendimi për ixhtihadin dhe taklidin. Në favor të këtij mendimi janë edhe ajetet e qarta kur'anore dhe praktika e brezave të parë të Umetit. Gjatë kohës së tyre muxhtehidi dispozitat sheriatike do t'i njihte me anë të derivimit dhe ixhtihadit, deri sa bota e zakonshme do t'i pyeste për dispozitat sheriatike duke mos u kufizuar në këtë çështje në një muxhtehid të caktuar.


Pasimi i medhhebit

Medhhebet janë shkolla juridike në Islam të cilat janë bërë të njohura sipas emrave të themeluesve të tyre të cilët ishin muxhtehidë të famshëm, të njohur sipas dijes së tyre të pazakonshme, të aftë për ixhtihad, për vlerat morale dhe për devotshmëri. Disa nga medhhebet me vdekjen e themeluesve të tyre janë shuar dhe e humbën rëndësinë dhe rolin në jetën e Umetit. Mendimet e tyre i gjejmë vetëm në veprat mbi mospajtimet e juristëve islamë. Nga ato medhhebe janë edhe ato të imamëve të mëdhenj të imamëve të El-Evza'iut, Sufjan Eth-Thevriut, dhe të tjerëve, Allahu i mëshiroftë. Medhhebet e tjera i kanë mbijetuar themeluesit e tyre dhe janë ruajtur në praktikën e Umetit deri sot. Ata kanë pasuesit e tyre dhe veprat e tyre në të cilat janë tubuar dhe janë shkruar mendimet e juristëve të tyre.


Çështja është pra: a lejohet të pasohen keta medhhebe apo jo?

Tashmë kemi thënë se ai që i përmbush kushtet për muxhtehid [2] duhet t'i njoh dispozitat sheriatike nga dora e parë e tyre me metodën e përsiatjes dhe ixhtihadit dhe se nuk ka leje të pasojë ndonjë muxhtehid tjetër. Për atë që nuk e ka arritur shkallën e ixhtihadit kemi thënë se duhet t'i pyes ata që kanë dijeni. Kjo "pyetje" mund të jetë gojore apo nëpërmjet thirrjes në mendimet e ndonjë dijetari të shënuara në veprat autentike të cilat i transmetojnë. Në bazë të asaj që u tha më lart mund të përfundojmë se laikut i lejohet ta pasojë një nga medhhebet e njohura që ekzistojnë deri sot, kurse mendimet e të cilëve na janë transmetuar besnikërisht, me kusht që në mendje ta kemi parasysh si vijon:

1. Medhhebet janë shkolla juridike në të kuptuarit dhe shpjegimin e teksteve të Sheriatit dhe derivimit të dispozitave juridike nga ato tekste. Prandaj, këto janë metodologji juridike në nxjerrjen dhe njohjen e normave të sheriatit, e jo sheriat i ri, apo diç jashtë Islamit.

2. Sheriati, të cilin e përbëjnë tekstet nga Kur'ani dhe Suneti, është më i gjerë dhe më i pasur se cilido medhheb, e jo e kundërta.

3. Sheriati është ai i cili gjykon për korrektësinë e çdo medhhebi dhe asnjë medhheb nuk ka primat mbi sheriatin.

4. Arsyetimi dhe shkaku për pasimin e medhhebit është supozim se pasuesit e tyre në to do të vijnë deri te njohja për normat sheriatike, respektivisht se në këtë mënyrë do ta mësojnë dispozitën e Allahut për ndonjë çështje të shpallur në Kur'an apo Sunet. Së këndejmi, nëse konstatohet se ndonjëri medhheb padyshim ka gabuar në gjetjen e dispozitës së Allahut në çështjen e caktuar dhe se e vërteta në këtë çështje është krejt e sigurt në medhhebin tjetër, është detyrë e pasuesit të medhhebit ta braktis medhhebin e tij dhe ta ndjek mendimin korrekt nga cilido medhheb tjetër qoftë.

5. Pasuesit të një medhhebi i lejohet ta pasojë medhhebin tjetër në disa çështje sepse, nuk ekziston asgjë që e obligon t'i ndjek të gjitha mendimet e një medhhebi. Kushti i vetëm në këtë rast është që personi e bënë këtë për shkak të dëshmive apo argumenteve të cilat e kanë nxitur ta braktisë medhhebin e tij në dobi të medhhebit tjetër. Ai gjithashtu ka të drejtë të kërkojë dhe të veprojë sipas fetvasë dhe mendimit të cilido jurist tjetër të ndonjë medhhebi tjetër.

6. Është detyrë e pasuesit të çdo medhhebi që të çlirohet dhe pastrohet nga fanatizmi dhe subjektivizmi i qortuar ndaj medhhebit të tij. Ai duhet të dijë se medhheb nuk do të thonë ndarje dhe imtësim të Islamit dhe se ato nuk janë fe të cilat e derogojnë (shfuqizojnë) Islamin. Këto janë vetëm qasjet e ndryshme në shpjegimin dhe perceptimin e Sheriatit. Këto janë dritare nëpërmjet të cilave sheriati mund të hulumtohet, veprimet në hulumtimin, studimin dhe perceptimin e tij dhe metodat shkencore të derivimit të normave sheriatike nga burimet e tyre. Të gjitha ato janë në synim të përbashkët ta njohin atë që Allahu e ka shpallur dhe përcaktuar.

7. Nuk ndiejmë kurrfarë keqardhjeje për shkak të ndarjes së medhhebeve, sepse mospajtimi në perceptimin dhe nxjerrjen e dispozitave juridike është natyrore dhe dukuri e pashmangshme. Kjo është një domosdoshmëri përcjellëse e mendjes njerëzore. Meqenëse mendjet dhe aftësitë kognitive defitinitisht ndryshojnë, kjo shpie domosdoshmërisht që edhe konceptimet dhe përfundimet të ndryshojnë. Për më tepër, ne krenohemi me këtë mospajtim, shkencërisht të bazuar, i cili na ka lënë në trashëgimi pasuri të madhe juridike. Ne e konsiderojmë tregues të zhvillimit të shkencës juridike islame dhe të vitalitetit të saj dhe dëshmi të pasurisë dhe gjerësisë së mendimit të juristëve tonë të falshëm dhe përmbushjes së tyre të ndërgjegjshme të detyrimeve të cilat i kanë pasur në kuptim të shërbimit ndaj sheriatit të qartë.

8. Përfundimisht, të gjithë ne kemi detyrim ta njohim madhështinë e imamëve të të gjitha medhhebeve, t'i vlerësojmë, respektojmë, ta lusim Allahun xh.sh. për ta. Të besojmë se i pretë shpërblim tek Allahu, qoftë kanë gabuar apo kanë gjetur zgjidhje të drejta dhe të veprojmë ashtu si na ka mësuar Krijuesi i lartësuar: "Edhe ata që kanë ardhur pas tyre e thonë: "Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i butë, mëshirues!", (El-Hashr, 10).



Autor: Dr. Abdulkerim Zejdan
Përktheu:: N. IBRAHIMI



_________________________

[1] - Nga vepra dr. Abdulkerim Zejdan, El-Vexhiz fi usuli'l-fikh, fq. 410-413. Në boshnjakishte tekstin e ka përkthyer: Mr. Ahmet Alibašić, botuar në: Hikmet IX, nr. 5-8 (101-104), gusht 1996, fq. 174-176.
[2] - Sipas këtij autori janë kushtet vijuese:
1.Njohja e mirë e gjuhës arabe.
2. Njohja e Kur'anit dhe shkencave të tij.
3. Njohja e Sunetit dhe të disiplinave të tij.
4. Njohja e metodologjisë së të drejtës islame.
5. Njohja e dispozitave për të cilat është arritur konsensus i të gjithë dijetarëve të Umetit.
6. Njohja e synimeve të sheriatit dhe traditës dhe interesit të përgjithshëm të njerëzve.
7. Talenti natyror
(Gjerësisht për këto kushte shiko veprën e njëjtë në faqet: 402-405. Përkthyesi.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...