Kush janë Ehli Sunneh vel Xhema'a, (Ithtarët e sunnetit dhe xhema'tit)?



Shumë njerëz pëlqejnë të klasifikohen në aradhat e rrugës së drejtë - ehli sunneh vel xhema'a, mirëpo shtrohet pyetja, vallë a dinë ata ta dallojnë rrugën e drejtë nga sektet e shumta që po paraqiten për çdo ditë? Synimi i këtij shkrimi është t'i qartësojë disa keqinterpretime e keqkuptime. Mënyra më e mirë e një qartësimi të këtillë bëhet me argumente nga Kur'ani, Sunneti si dhe nga të thënat e dijetarëve klasikë islamë. Duhet të gjithë ta dinë se është vetëm një rrugë e drejtë dhe se ajo është forma e vetme e paprishur e origjinale që na është transmetuar neve nga All-llahu i Lartësuar, Profeti alejhi selam, shokët e tij të bekuar - All-llahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata, si dhe nga dijetarët e mëdhenj të Islamit, të cilët e kanë ndjekur rrugën e tyre (shokëve të Profetit a.s.).

Pyetja e parë që duhet të parashtrohet është: "Çfarë e dallon një sekt nga një tjetër"? Përgjigja për këtë është e qartë dhe e thjeshtë! Duhet ditur se karakteristika kryesore që e dallon një sekt prej një tjetri nuk është në diferencën e mendimeve të dijetarëve të sektit përkatës, të cilat (mendime) i kanë arritur duke bërë ixhtihad nga burimet e Sheriatit, por akideja aktuale e dijetarëve të sektit të caktuar në të cilën ata janë duke u kapur që prej themelimit të sektit të tyre.

Në librin "Besimi dhe Islami" (fq. 78-79) me autor të panjohur, shpjegohet besimi i ithtarëve të ehli sunneh vel xhema'a: "Ditëve të sotme, shpesh mund të dëgjohet të përmendet fjala "selefizëm". Çdo musliman duhet ta ketë të qartë se nuk ekziston medhheb me emrin selefizëm, por ka medhheb selefus-salihin [brezi i parë (apo edhe i dytë) i muslimanëve]. Dijetarët të cilët qenë të brezit të tretë e të katërt të muslimanëve quhen halefus-sadikin. Besimi i këtyre njerëzve të ndershëm është quajtur medhhebi (rruga) i ehli sunneh vel xhema'a. Kjo është rruga e imanit, e doktrinave të fesë. Imani i as-habëve (All-llahu qoftë i kënaqur me ta!) dhe i tabi'inëve (All-llahu i mëshiroftë!) ishte i njëjtë. Të gjitha 72 grupet e devijuara (të përmendura në hadithin e Profetiti s.a.v.s.) u paraqitën pas gjeneratës së dytë të muslimanëve. Profeti s.a.v.s. e themeloi besimin e ehli sunneh vel xhema'a. As-habët (All-llahu qoftë i kënaqur me ta!) i nxorrën këto mësime nga Kur'ani dhe Sunneti, ndërsa tabi'inët (All-llahu i mëshiroftë!) i mësuan ato (mësimet) prej as-habëve. Pastaj, pasardhësit e tyre i mësuan prej tabi'inëve dhe në këtë mënyrë mësimet e ehli sunneh vel xhema'a kanë arritur deri tek ne me anë të transmisionit. Këto mësime nuk mund të zbulohen me anë të arsyes! Intelekti nuk mund t'i ndërrojë ato, por vetëm mund të na ndihmojë që t'i kuptojmë. Prandaj, intelekti është i domosdoshëm për t'i kuptuar ato, për t'i përfytyruar se janë të drejta dhe për ta njohur vlerën e tyre. Të gjithë dijetarët e hadithit kishin besim të ehli sunneh vel xhema'a. Gjithashtu, edhe imamët e katër medhhebeve kishin po të njëjtin besim. Vlen të ceket se, edhe el-Esh'ariu, edhe el-Maturidiu (All-llahu i mëshiroftë!) ishin në këtë rrugë. Të dy këta e mbronin këtë rrugë nga heretikët e materialistët, të cilët ishin të futur në moçalet e filozofisë antike greke. Megjithëse jetuan në një kohë, ata jetonin larg prej njëri-tjetrit. Sjellja e ofenduesve dhe mënyra e tyre (ofenduesve) e të menduarit që i takonin të dy këta ishin të ndryshme, kështuqë metodat për mbrojtje dhe përgjigjet që i jepnin këta dy kolosë ishin të ndryshme. Megjithatë, nuk do të thotë se ata nuk e ndiqnin të njëjtën rrugë! Qindra dijetarë që erdhën më pas, i studiuan librat e tyre dhe që të gjithë deklaronin se të dy këta (el-Maturidiu dhe el-Esh'ariu) i përkisnin rrugës së ehli sunneh vel xhema'a. Dijetarët e ehli sunneh vel xhema'a, Kur'anin dhe Sunnetin e merrnin në kuptimin e tyre të jashtëm. Kjo nënkupton se ata ua jepnin kuptimet e dukshme ajeteve dhe haditheve dhe nuk i sqaronin në mënyra të tjera duke ua ndërruar kuptimin e kështu me radhë, përveç se nëse ishte e domosdoshme, edhe atë jo duke i tejkaluar kufijt! Plus kësaj, ata asnjëherë nuk bënin ndonjë ndërrim duke ua shtuar (ajeteve apo haditheve) ndonjë mendim personal. Mirëpo, ata që i përkisnin grupeve të humbura (heretikëve) dhe ata që nuk i përkisnin asnjërit medhheb nuk hezitonin t'i ndërronin mësimet e imanit e ibadetit, siç i mësonin nga filozofët grekë apo nga dijetarët e Shamit, të cilët njëherit ishin edhe kudërshtarët më të mëdhenj të Islamit!".

Në vazhdim janë dhënë definicionet e ehli sunneh vel xhema'a nga dijetarët klasikë:

1). Ahmed ibën Haxher el-Hajthemi në librin e tij "Fadh el xheëad" i definon pjesëtarët e ehli sunneh vel xhema'a si vijon: "Novator (bidatxhi) është personi i cili nuk e ka besimin që unanimisht është përçuar prej ehli sunneh vel xhema'a. Ky unanimitet, në fakt, është transmetuar nga dy dijetarët e mëdhenj - el-Esh'ariu dhe el-Maturidiu (All-llahu i mëshiroftë!)".

2). Ahmed Shihab ed-Din el-Kajlubi në vëllimin e katërt të librit "Kanz er-ragibin" thotë: "Çdokush që heq dorë nga ajo që el-Esh'ariu dhe el-Maturidiu e kanë transmetuar nuk është ehli sunneh vel xhema'a! Këta dy i ndoqën gjurmët e Profetit s.a.v.s. dhe as-habëve (All-llahu qoftë i kënaqur me ta!)".

3). Abdullah ibën Alavi el-Hadadi në librin "Libri i ndihmës" (fq. 40) thotë: "Duhet ta korrigjoni e ta mbroni besimin tuaj si dhe ta përshtatni me modelin e njerëzve të shpëtuar, të cilët njihen si pjesëtarët e ehli sunneh vel xhema'a. Të tillët janë që me vendosmëri qëndruan në rrugën e Profetit s.a.v.s. dhe shokëve të tij (All-llahu qoftë i kënaqur me ta!). Nëse vështrojmë me ujdi të shëndoshë në ato rrugëtime lidhur me shkencat e fesë në Kur'an, Sunnet dhe në thëniet e pararendërsve të virtytshëm, qoftë të as-habëve (All-llahu qoftë i kënaqur me ta!) apo të pasardhësve, me siguri se do të njihesh me rrugëtimin "Esh'ari", i cili emrin e mori nga vetë ebul-Hasan el-Esh'ariu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili i sistematizoi themelet e vëna nga njerëzit e së vërtetës".

4). Abdul-Gani en-Neblusi në librin e tij "Hadikat en-Nadijje" (vëll. 2, fq. 103) thotë: "Xhema'a-ti është uniteti i muslimanëve në të cilin All-llahu xh.sh. e lëshon Mëshirën e Vet. Tafrika është përçarja e muslimanëve, e si rezultat i kësaj, pra, vjen Dënimi i All-llahut të Lartësuar. Andaj, është e domosdoshme për secilin musliman që të bashkohet me ata që janë në rrugën e drejtë. Ai (muslimani) duhet të bashkohet me ata madje edhe nëse janë grup i vogël. Rruga e drejtë është rruga e as-habëve (All-llahu qoftë i kënaqur prej tyre!). Ata që e ndjekin rrugën e tyre quhen pjesëtarë të ehli sunneh vel xhema'a. Nuk duhet të na çudisë se madje edhe pak pas kohës së as-habëve (All-llahu qoftë i kënaqur me ta!) shumë grupe heretike u shfaqën brenda një periudhe relativisht të vogël". Imam el-Bejhekiu (All-llahu e mëshiroftë!) thoshte: "Kur muslimanët e humbin rrugën, duhet ta ndiqni rrugën e drejtë që është ndjekur nga më të mëparshmit e drejtë! Nuk duhet të heqni dorë nga rruga e drejtë madje edhe nëse mbeteni të vetëm!". Nexhm ed-Din el-Gazi (All-llahu e mëshiroftë!) shkroi: "Ehli sunneh vel xhema'a janë ata dijetarë që mbahen në rrugën e Profetit s.a.v.s. dhe të as-habëve (All-llahu qoftë i kënaqur me ta!). Libri Famëmadh na porosit: "... E mos u përçani! ...", (Kur'an, 3: 103)". Abdullah ibën Mes'udi (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!), në komentimin e këtij ajeti thotë: "Ky ajet nënkupton se nuk duhet devijuar nga rruga e drejtë duke i ndjekur dëshirat dhe idetë e kalbura". Mirëpo, ky ajet nuk vlen për mospajtimet që bëhen në lëmin e fikhut! Ai, pra, vetëm ndalon nga pëërçarja që shkakton mospajtime në lëmin e akides. Mospajtimi në fikh i cili është i derivuar nga ixhtihadi, nuk është përçarje, ngaqë mospajtimet e këtilla kanë rezultuar në shfaqjen e obligemeve dhe të drejtave. Edhe as-habët (All-llahu qoftë i kënaqur me ta!) poashtu kishin mendime të ndryshme në ato mësime që e rregullonin përditshmërinë, mirëpo nuk ka ndoshur që të ketë mospajtime në lëmin e akides".

5). Sejjid Ahmed et-Tahtavi në librin e tij "Hashije el-Durr el-Muhtar" thotë: "Sipas shumicës së dijetarëve të tefsirit, ajeti: "... dhe u ndanë në grupe ..." (Kur'an, 6: 159) u është referuar atyre njerëzve bidatxhinj që do të dalin në këtë ummet. Në një hadith që e transmeton Omeri (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!), Profeti s.a.v.s. i tha Ajshes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) "Ajeti që flet me ndarjen e njerëzve në grupe, u është referuar njerëzve bidatxhinj dhe atyre që i ndjekin epshet e veta". All-llahu xh.sh. në Librin e Tij ka thënë: "Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t'ju ndajnë nga rruga e Tij! Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni" (Kur'an, 6: 153), "Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur'anin) e All-llahut, e mos u përçani! Përkujtojeni nimetin e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së Xhehennemit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu All-llahu ua sqaron juve argumentet e Veta që ju ta gjeni të vërtetën e lumtur" (Kur'an, 3: 103). Dijetarët thonë se I Lartësuari me fjalën "litar" aludon në unitet. Urdhëri - "Mos u përçani!" - e nënkupton faktin se uniteti (xhema'a-ti) është një dhe se vetëm pjesëtarët e tij janë pronarë të diturisë dhe fikhut. Ai që largohet prej fukahave vetëm sa një pëllëmbë, privohet nga Ndihma e All-llahut dhe e meriton Zjarrin, ngaqë ata (fukahatë) kanë qenë në rrugën e drejtë dhe e kanë praktikuar Sunnetin e Profetit alejhi selam. Pra, përfundimisht, ehli sunneh vel xhema'a janë grupi i shpëtuar, i cili burimin e ka prej Profetit s.a.v.s. si dhe katër shkollat juridike ...".


Është shumë e rëndësishme për të pasur unitet në Ummet, e për ta arritur këtë qëllim është e qenësishme që të gjithë (muslimanët) ta kenë akiden e drejtë e të ruajtur nga selefus-salihin (All-llahu qoftë i kënaqur me ta!), sepse All-llahu do të na pyesë për akiden tonë se a ka qenë në përputhje me Shpalljen hyjnore apo jo! Rruga e selefus-salihinëve është rruga e ruajtur e ehli sunneh vel xhema'a. Prandaj, të gjithë duhet ta dimë se ky unitet e ka akiden më korrekte se çdo grupacion tjetër! Argumentet e sakta për t'u bindur se cila është e rrugë e vërtetë, duhet kërkuar në Kur'anin Famëlartë dhe hadithet e Profetit alejhi selam. Nëse shikohet thellësisht në këtë çështje me mendje të hapur, doemos do të vijmë në përfundim se xhema'ati është ai që është renditur nga dijetarët e parë të komentimit të Kur'anit, nga fukahatë si dhe nga dijetarë të lëmenjve të tjerë islamë. Në vazhdim t'i shohim argumentet kur'anore dhe ato të Hadithit.


Argumentet kur'anore

1). Kaptina 3, ajeti 103: "Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin e All-llahut, e mos u përçani!".

Imam Sejfudin el-Amidi (All-llahu e mëshiroftë!) në lidhje me ajetin paraprak, në librin e tij "Mjeshtëria në bazat e vendimeve legale" (fq. 295) thotë: "Meqë All-llahu e ka ndaluar përçarjen, atëherë ne detyrimisht duhet të bashkohemi në akiden e pranuar unanimisht të paraardhësve tanë të ndershëm". E kam cituar thënien e ibën Haxher el-Hajthemit ku thotë: "Kjo ujdi është transmetuar nga dy imamët e mëdhenj - el-Esh'ariu dhe el-Maturidiu (All-llahu i mëshiroftë!) dhe nga dijetarët që e vazhduan rrugën e tyre".

Mahmud Ejubi në librin "Kur'ani dhe interpretuesit e tij" (vëll. 2, fq. 275-276) thotë: Ibën Kethiri (All-llahu e mëshiroftë!) "Litarin e All-llahut" e interpreton si kontratë të Zotit, kështu duke u mbështetur në ajetin e 112 të kësaj kaptine. Një pikëpamje tjetër, shton ai, është se "Litari i All-llahut" nënkuptohet në bazë të hadithit që e transmeton Aliu (All-llahu e mëshiroftë!) i cili thotë se "Kur'ani është litari i fortë i All-llahut dhe rruga e Tij e drejtë". Më tej, ai citon një hadith tjetër që e transmeton Ebu Said el-Hudriu (All-llahu e mëshiroftë!) ku thuhet se Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Libri i All-llahut është litari i All-llahut i shtrirë prej qiellit në tokë". Gjithashtu edhe Abdullah ibën Mes'udi (All-llahu e mëshiroftë!) transmeton se Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Sigurisht, ky Libër është litari i fortë i All-llahut, dritë e dukshme dhe burim i dobishëm i shërimit. Ai është mbrojtës për ata që kapen fort pas tij dhe mjet shpëtimi për ata që veprojnë në përputhje me të".

Ndërsa, sa i përket shprehjes "E mos u përçani!", ibën Kethiri thotë se: "All-llahu i Madhëruar ka dashur të na tërheq vëmendjen se ndjekja e xhema'atit është e domosdoshme". Ai e citon hadithin që e transmeton Ebu Hurejra (All-llahu e mëshiroftë!) në të cilin Profeti s.a.v.s. ka thënë: "All-llahu kënaqet me tri veprime dhe zemërohet me tri veprime të tjera. Ai kënaqet kur e adhuroni vetëm Atë pa i përshkruar asnjë shok, kur të gjithë kapeni pas litarit të Tij dhe nuk përçaheni, dhe kur tregoni besnikëri ndaj atyre që All-llahu u ka dhënë kompetenca (të caktuara për ndonjë çështje)", (Tefsiri i ibën Kethirit vëll. 2, fq. 83-84).

Kurtubiu pajtohet me Taberiun dhe ibën Kethirin (All-llahu i mëshiroftë!) lidhur me kuptimin e shprehjes "Litari i All-llahut". Ai e citon miratimin e tradicionalistit të njohur ibën Mubarekut (All-llahu e mëshiroftë!) i cili ka thënë: "Padyshim se uniteti është litari i All-llahut, prandaj mbahuni fort gjithë sëbashku për Dorëzën e Tij të fortë". Kurtubi (All-llahu e mëshiroftë!) shton se: "Zoti e urdhëron unitetin dhe e ndalon përçarjen, pasi në përçarje ka mallkim, ndërsa në unitet ka shpëtim". Sa i përket shprehjes "E mos u përçani!", Kurtubiu (All-llahu e mëshiroftë!) ofron dy interpretime të ndryshme:
a). Mos u përçani në fenë tuaj ashtu siç u përçanë çifutët dhe të krishterët!,
b). Mos u përçani duke ndjekur ide dhe mendime të gabuara!.

Kurtubiu (All-llahu e mëshiroftë!) si fakih vrojton se: "s'ka asnjë të dhënë në këtë ajet që e ndalon mospajtimin në aspekt të jurisprudencës, meqë ai (mospajtimi në fikh) nuk është përçarje! Kjo është kështu ngase përçarja e vërtetë është ajo në të cilën harmonia dhe uniteti janë njëmend të pamundshme. Kurse sa i përket mospajtimeve gjykimore që bazohen në orvatjen personale, ato janë pjesë dallimore në nxjerrjen e obligimeve dhe gjëra jo shumë të rëndësishme të ligjit".

2). Kaptina 3, ajeti 105: "E mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën zbritur argumentet. Ata do të pësojnë një dënim të madh".

3). Kaptina 3, ajeti 110: "Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun ...".

4). Kaptina 4, ajeti 115: "Kush i kundërvihet të dërguarit, pasi që i është bërë e qatë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që e ka zgjedhur (në Dunja) e e fusim në xhehennem. Përfundim i keq është ai".

5). Kaptina 6, ajeti 153: "Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t'ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni".

6). Kaptina 6, ajeti 159: "Vërtet ata që e përçanë fenë e tyre dhe u ndanë në grupe, ti (Muhammed) nuk ke kurrfarë përgjegjësie. Çështja e tyre është vetëm te All-llahu, Ai do t'i njohë me atë që punuan".

7). Kaptina 23, ajetet 52-53: "Kjo feja juaj është e vetmja fe e Unë jam Zoti juaj, ruajuni dënimit Tim. E ata më vonë u ndanë në grupe sipas çështjes së fesë dhe secili grup krenohej me atë që kishte përvetësuar për vete".

8). Kaptina 30, ajeti 32: "Të cilët e përçanë fenë e tyre dhe u ndanë në grupe, ku secili grup i gëzohet idesë së vet".


Argumentet nga Hadithi

Ebu Davudi (All-llahu e mëshiroftë!) në Sunenin e tij e ka cituar hadithin e njohur lidhur me përçarjen e muslimanëve në 73 grupe: "Ebu Amir el-Haëdhani thoshte: Muavije ibën ebi Sufjan (All-llahu e mëshiroftë!) qëndroi pranë nesh dhe tha: Kujdes! I dërguari i All-llahut s.a.v.s. qëndroi pranë nesh dhe tha: Kujdes! Ithtarët e Librit (para jush) qenë të ndarë në 72 grupe, ndërsa ju do të ndaheni në 73! Prej këtyre (të fundit), 72 grupe do të shkojnë në Xhehennem, ndërsa 1 grup do të hyjë në Xhennet dhe ajo është shumica!".

Në një verzion tjetër, është thënë: "Çifutët u ndanë në 71 grupe, e vetëm një prej tyre do të hyjë në Xhennet. Të krishterët u ndanë në 72 grupe, e vetëm një prej tyre do të hyjë në Xhennet. Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, ummeti im do të ndahet në 73 grupe, vetëm një prej tyre do të hyjë në Xhennet, kurse të tjerët do të hyjnë në Xhehennem!". Njëri prej të pranishmëve pyeti: "O i dërguari i All-llahut, kush do të jenë ata (grupi i shpëtuar)?". Profeti s.a.v.s. i tha: "Ata do të jenë grupi bazë i muslimanëve (xhema'ati)". Auf ibën Maliku është i vetmi që e transmeton këtë hadith dhe zinxhiri i tij është i pranueshëm.

Ahmed el-Sirhindi (All-llahu e mëshiroftë!) në librin e tij "Maktubat" (vëll. 3, letra 38) thotë: "Është treguar në hadith se ky ummet do të ndahet në 73 grupe prej të cilëve 72 janë në Xhehennem. Megjithatë, nuk jemi të inormuar se ato (72 grupet tjera) do të jenë përgjithmonë në Xhehennem. Të përhershëm në zjarr janë vetëm jobesimtarët. Këto grupe, për shkak të besimit të tyre të prishur, do të hyjnë në zjarrin e Xhehennemit dhe do të digjen aq sa është i prishur besimi i tyre. Ndërkaq, vetëm një grup, do të jetë i shpëtuar, pasi besimi i tyre është i drejtë. Në qoftë se ndodh që ndonjë prej grupit të shpëtuar të veprojë ndonjë vepër të keqe, është e mundshme që edhe ai të digjet në Zjarr, përndryshe në rast se nuk vepron keq, nuk do të hyjë në Xhehennem. Njerëzit që do të hyjnë në Xhehennem nuk bën të quhen mosbesimtarë (kafira) ngase ata, në fakt, kanë qenë ithtarë të Qabes! Mirëpo, nëse ndokush nuk i beson ato fakte fetare që domosdoshmërisht kërkohen të besohen apo nëse i mohon ato rregulla të Sheriatit që i ka dëgjuar dhe që i di, atëherë ai bëhet mosbesimtar!" Gjithashtu, në një vend tjetër (vëll. 1, letra 80) ai thotë: "Nuk ka dyshim se ehli sunneh vel xhema'a janë grupi i vetëm të cilët iu përshtatën rrugës së Profetit alejhi selam".

Abdul Kadër el-Xhejlani në librin "Gunajat et-Talibin" (fq. 90) thotë: "Besimtari duhet ta adaptojë veten me Sunnetin dhe Xhema'atin. Sunneti është rruga e treguar nga Profeti alejhi selam, ndërsa xhema'ati është i ndërtuar nga qëndrimet e as-habul-kiram të cilët jetuan në kohën e katër halifeve. Një musliman duhet të ruhet nga shtojcat që i bëjnë bidatxhinjtë dhe të largohet prej tyre!".

Ibën Tejmije është akuzuar për qëndrimet e tij kinse janë të degjeneruara e të prishura, gjë e cila shumë dijetarë i kahëzoi të thonë për të se është heretik. Mirëpo ai në librin e tij "Akidatil-Vasitijeh" (fq. 154) thotë: "Besimi i tyre (i pjesëtarëve të ehli sunneh vel xhema'a) është feja islame. Megjithatë, Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Ummeti im do të ndahet në 73 grupe dhe të gjithë do të shkojnë në Xhehennem, në përjashtim të njërit, e ai është xhema'ati". Gjithashtu ai (s.a.v.s.) në një hadith tjetër thotë: "Ata (pjesëtarët e ehli sunneh vel xhema'a) janë njerëz që do ta pasojnë rrugën që e zbatojmë ne sot". Rrjedhimisht, të tillët janë kapur fortë për Islamin dhe janë të paprekur nga çdo falsifikim. Ky grup i përfshin të drejtët, shehidët dhe të ndershmit, minaret e udhëzimit, llampat në errësirë dhe pronarët e cilësive të mira, dijetarët për udhëzimin e të cilëve të gjithë njëzëri pohojnë se janë të drejtë ... Në fakt, ai është ai grup i suksesshëm për të cilin Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Një grup nga Ummeti im gjithmonë do të jetë dominant me të vërtetën. Oponentët asnjëherë nuk do të kenë mundësi t'i lëndojnë anëtarët e atij grupi e as t'i hidhëronjë ata deri në Ditën e Gjykimit!".

Muslimi (All-llahu e mëshiroftë!) ka mbledhur një numër të madh hadithesh. Ai ka ruajtur një verzion më të gjatë lidhur me këtë çështje. Ai citon: "Abdurrahman ibën Shems el-Mahri thoshte: Isha bashkë me Museleme ibën Muhaladin dhe Abdullah ibën el-Asin (All-llahu qoftë i kënaqur me ta!) dhe Abdullahu e citoi hadithin e Profetit alejhi selam", në të cilin thuhet: "Momenti i Katastrofës do të vijë vetëm atëherë kur lloji më i keq i njerëzve do të mbeten në tokë. Ata do të jenë më të këqinj sesa njerëzit paraislamikë. Ata do të marrin gjithçka që kërkojnë nga All-llahu". Përderisa ishim ulur, Ukbe ibën Amiri erdhi e Museleme i tha atij: "O Ukbe dëgjo çfarë po thotë Abdullahu!". Ukbe ia ktheu: "Unë e kam dëgjuar Profetin s.a.v.s. të thotë: Një grup njerëzish nga Ummeti im do të luftojë në rrugë të All-llahut, duke mbetur si dominues ndaj armiqve të tyre. Asnjë kundërshtar nuk do të mund t'i lëndojë dhe ata do të mbeten kështu (d.m.th. si fitues) deri në Ditën e Gjykimit". Më pastaj, Abdullahu tha: "Ashtu është! Mandej All-llahu do ta krijojë një erë të mirë si misku, por ajo do ta shkaktojë vdekjen e të gjithë besimtarëve (të asaj kohe) duke mos lënë asnjë njeri me një pikë besimi në zemër. Atëherë, vetëm njerëzit më të këqinj do ta presin tronditjen e Kijametit", (Sahihu i Muslimit 3/4721 dhe Sahihu i Buhariut 9/414).

Neveviu (All-llahu e mëshiroftë!) në librin e tij "Sharh Muslim" (vëll. 2, fq. 143) thotë: "Grupi i njerëzve (të përmendur në hadithin paraprak) përbëhet nga dijetarët, jurisprudentët islamë, burimet e besueshme të Hadithit, urdhëruesit për të mirë, ndaluesit nga e keqja dhe të gjithë ata që veprojnë vepra të mira".

Tirmidhiu (All-llahu e mëshiroftë!) në Sunenin e tij thotë: "Ehli sunneh vel xhema'a janë njerëzit e fikhut, diturisë dhe Hadithit".

Buhariu (All-llahu e mëshiroftë!) në Sahihun e tij (vëll. 9, kreu 10) thotë: "Formulimi i Profetit s.a.v.s. ku thotë: "Një grup i ndjekësve të mi do të mbetet fitimtar në luftë për të Vërtetën", ka të bëjë me njerëzit që janë të arsimuar fetarisht (ehlul 'ilm)".

Ahmed ibën Hanbeli (All-llahu e mëshiroftë!) thoshte: "Nëse nuk janë njerëz të Hadithit, atëherë nuk e di se çfarë mund të jenë tjetër", (Sahihu i Muslimit - vëll. 5, fq. 183).

Kadi Ijadi (All-llahu e mëshiroftë!) në librin e tij "Esh-shifa" (fq. 188) thotë: "Në një hadith që e transmeton Ebu Umame (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!)", Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Një grup prej ummetit tim do të mbetet i palëvizshëm ndaj së Vërtetës duke e mposhtur armikun. Ata saherë janë të tillë (d.m.th. nuk lëvizin) derisa të vijë Urdhëri i All-llahut". Njëri nga të pranishmit pyeti: "O i dërguari i All-llahut, ku janë ata"? Profeti s.a.v.s. iu përgjigj: "Në Jerusalem".

Ebu Hurejra (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Ai që shmanget nga bindja jonë dhe dezerton nga vija e muslimanëve e që vdes në atë gjendje - ka gjasa që të vdesë si njeri që i ka takuar periudhës paraislamike. Gjithashtu, prej ummetit tim nuk është as ai që vritet nën flamurin e atij që është i vërber (për shkakun e luftimit të tij), as ai që zemërohet me familjen e niset për në luftë, as nëse ndokush prej ndjekësve të mi e sulmon ndonjë tjetër prej ndjekësve të mi, as ai që vran njerëz të drejtë e të ndershëm, e as ai që nuk kujdeset për ata të cilët iu kanë dhënë në garancion!", (Sahihu i Muslimit 3/4557).

Bejhekiu (All-llahu e mëshiroftë!) në librin e tij "77 degët e besimit" (fq. 42-43), në degën e pesëdhjetë të besimit (për të qëndruar fort me shumicën) thotë: "All-llahu i Madhëruar në Librin e Tij ka thënë: "Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin e All-llahut, e mos u përçani!", (Kur'an, 3: 103).

Muslimi (All-llahu e mëshirfotë!) e rrëfen hadithin që e transmeton Ebu Hurejra (All-llahu e mëshiroftë!) se Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Gjithkush që vdes i pabindur e i larguar nga shumica, është injorant (xhahil)". Ai gjithashtu bazohet edhe në hadithin që e transmeton ibën Shurejhi (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) në të cilin Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Pas vdekjes sime do të vijnë ditë të vjedhjes dhe çrregullimeve. Nëse shihni njerëz të atillë, ju duhet t'i luftoni, kushdo qoftë që janë ata".

Abdul Hakim Muradi (All-llahu e mëshiroftë!) në shënim plotësues për degën e pesëdhjetë të besimit tha: "Zbatimi i bindjeve të Islamit definohet si doktrina e ehli sunneh vel xhema'a. Për ta njohur se një doktrinë e caktuar është e drejtë apo e devijuar, prej muslimanit kërkohet që t'i gjurmojë qëndrimet e shumicës së dijetarëve lidhur me atë çështje. Në këtë mënyrë, pra, do të njihet nëse janë në rrugë të drejtë apo të devijuar".

Ibën Abbasi (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Nëse ndokush sheh diçka të keqe tek udhëheqësi (emiri) i tij, duhet të heshtë (e jo të largohet), pasiqë ai që largohet prej trupit të muslimanëve vetëm sa një pëllëmbë, është injorant (xhahil)", (Sahihu i Muslimit 3/4559).

Ahmedi (All-llahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Ai që prej trupit të muslimanëve largohet vetëm sa një pëllëmbë, ai veçmë e hudh zinxhirin e Islamit prej qafës së tij", (Mishkatul Mesabih 1/185).

Omeri (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Ai që dëshiron të jetë në mes të Xhennetit, le të qëndrojë ngusht me trupin e muslimanëve, pasiqë djalli e ka më lehtë t'i afrohet muslimanit kur është i vetëm sesa kur të jenë dy (të tillë)", (I koleksionuar nga Tirmidhiu).

Arfaxha (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Mëshira e All-llahut është me shumicën, ndërsa djalli është me atë që devijon nga ajo shumicë", (I koleksionuar nga el-Taberani).

Abdullah ibën Mes'udi (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se Profeti s.a.v.s. njëherë e kishte vizatuar një vijë të drejtë në tokë dhe kishte thënë: "Kjo është rruga e drejtë e All-llahut", kurse pastaj kishte vizatuar disa vija të tjera të lakuara në të djathtë e në të majtë dhe kishte thënë: "... ndërsa këto vijat tjera janë rrugët e djallit dhe në secilën prej tyre (rrugëve) ka nga një djall që i fton njerëzit të bëhen pjesë të saj", (I koleksionuar nga Ahmedi).

Mu'adh ibën Xhebbeli (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Djalli për njerëzit është njësoj sikur ujku për delet, ai e rrëmben "delen" e humbur. Prandaj, jini të kujdesshëm ndaj rrugëve të gabuara dhe ngjitnu me shumicën!", (I koleksionuar nga Ahmedi).

Ebu Dherri (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Dy (veta) janë më të mirë se një dhe tre janë më të mirë se dy, kështuqë qepuni me shumicën, ngase All-llahu i Plotfuqishëm do t'i bashkojë vetëm njerëzit e udhëzuar.", (I koleksionuar nga Ahmedi).

El-Harith el-Esh'ariu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Ju urdhëroj për pesë gjëra: të jeni të bashkuar me trupin e muslimanëve, ta dëgjoni udhëheqësin, t'i bindeni atij, të migroni për hirë të All-llahut dhe të luftoni në rrugë të Tij! Ai i cili veçohet nga trupi i muslimanëve veç sa pëllëmba, ai pa asnjë dyshim është banor i Xhehennemit, madje edhe nëse falet, agjëron e veten e konsideron si musliman!", (I koleksionuar nga Ahmedi).

Ibën Omeri (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Bashkangjitjuni shumicës, ngase ai që largohet prej saj do të hudhet në Xhehennem!", (I koleksionuar nga ibën Maxhe).

Shafiu (All-llahu e mëshiroftë!) në librin e tij "Risale" (fq. 252-253) thotë: "Sufjani nga Abdullah ibën ebi Labidi e ky nga babai i Abdullah ibën Sulejman ibën Jaserit rrëfen: Omer ibën el-Hatabi (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) mbajti një ligjëratë në el-Xhebije ku tha: I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. qëndroi para nesh ashtu siç po qëndroj unë para jush dhe na tha: "Besojuni as-habëve të mi, pastaj ata që pasojnë pas këtyre e edhe pasuesve të pasuesve! Gënjeshtra do të mbizotërojë atëherë kur njerëzit do të betohen pa qenë të thirrur për betim dhe do të dëshmojnë pa qenë të thirrur për të dëshmuar. Shumicën do ta ndjekin vetëm ata që i synojnë kënaqësitë e Xhennetit! Djalli mund ta bindë njeriun kur është vetëm, por e ka vështirë kur janë dy veta, pastaj edhe më vështirë kur janë tre ... Asnjë mashkull mos të qëndrojë i vetmuar me një femër pasi djalli është i treti ndër ta! Musliman i vërtetë është ai që gëzohet me sjelljen vet të mirë dhe brengoset për sjelljen e vet të keqe!", (I koleksionuar nga Shafiu - vëll. 2, fq. 187 & ibën Hanbeli - vëll. 1, fq. 176-181).

Në përfundim të këtij hadithi Shafiu (All-llahu e mëshiroftë!) tha: "Ai që qëndron si qëndron shumica, do të shpërblehet njëjtë si ajo (shumica), ndërsa ai që qëndron ndryshe nga shumica, do të shpërblehet për atë që ka ndjekur. Pra, gabimet vijnë nga ndarja, kurse shumica si tërësi nuk është gabim për sa i përket Kur'anit, Sunnetit dhe analogjisë (kijasit)".

Hakimi (1/116) ka rrëfyer hadithin sahih nga Profeti s.a.v.s. në të cilin thuhet: "Ummeti im nuk do të gjejë pajtim në gabime!".

Tirmidhiu (4/2167) rrëfen se ibën Omeri (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton një hadith në të cilin Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Me të vërtetë ummeti im nuk do të gjejë pajtim në gabime dhe Dora e All-llahut është mbi shumicën. Ai që nuk pajtohet me të (shumicën), do të hyjë në Xhehennem!".



Autor: Ahmed ibën Muhammed
Nga Anlishtja: Arsim JONUZI

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...