Qëndrimi i dijetarëve rreth festimit të ditëlinjes së Pejgamberit a.s.



Hyrje

Në fenë islame janë dy festa: festa e fiter bajramit dhe festa e kurban bajramit, ndërsa sa u përket festimeve të ditëve dhe datave të ndryshme historike si p.sh. festimi i ditëlindjes së Pejgamberit a.s. është vepër e lejuar por nuk është i obliguar. Mu për festimin e ditëlindjes së Pejgamberit a.s. dëgjojmë shumë kundërshtime nga disa jo të thelluar në shkencat islame. E vërteta është se nuk kam dashur t'i qasem një problematike të tillë duke pasur parasysh se ekzistojnë shumë çështje me rendësi që i preokupojnë myslimanët e sodit. Pa dyshim se ne sot jetojmë në një kohë ku armikët e islamit pa pushuar mundohen ta shkatërrojnë islamin dhe myslimanët si nga brenda dhe nga jashtë, pa kurrfarë mëshire, e që fatkeqësisht ka shumë pak prej muslimanëve që mund tu kundërvihen sulmeve të tilla.

Ne sot jetojmë në një injorancë bashkëkohore ku e vërteta është si një lloj plaçke që shitet dhe e blen ai që më së shumti ka të holla, pavarësisht se çfarë është blerësi dhe se gënjeshtra në kohën tonë është themel i vazhdimit të proceseve të jetës. Sot kur muslimanët në të katër anët e botës janë viktima të terrorit dhe gjenocidit vetëm e vetëm pse thonë se: "Zoti ynë është Allahu". Më e keqja është se myslimanët vuajtjet e tyre i kanë edhe nga disa veprime dhe sjellje jo islame që i veprojnë disa pjesëtarë të fesë Islame, e të cilët në emër të asaj se vetëm ata po e kuptojnë Kur'anin dhe sunnetin e Pejgamberit a.s. dhe kështu po i japin vetës të drejtë që myslimanët t'i etiketojnë dhe akuzojnë duke u thënë: "mushrika", "bidatxhinjë", "kafira", etj..

Më e rrezikshmja është se të tillë ka edhe në mesin tonë të cilët i ofendojnë dhe i akuzojnë ata të cilët nuk mendojnë siç duan ata duke u thënë: se ata janë bidatxhinjë dhe se me ta nuk duhet të bisedojmë, se ata nuk veprojnë me sunnetin e Pejgamberit a.s.. Po ashtu të tillët pretendojnë se vetëm ata e kuptojnë dhe e gjallërojnë sunnetin e Pejgamberit a.s. ndërsa tjerët e shfarosin sunnetin e Pejgamberit a.s.. Andaj duke e ditur se dikush do të mundohet që të më akuzoj se po trilloj apo po gënjeje për qëndrimet e dijetarëve për festimin e ditëlindjes së Pejgamberit a.s., kam sjell mendimet e dijetarëve duke përmendur në fusnotë burimet e çdo mendimi që nëse dikush dyshon atëherë i hapen mundësit e verifikimit duke u kthyer në burim.

Vërtetë ajo që më së shumti po u duket e pamundur disave është ajo se shejhul Islami Ibn Tejmijje r.a. qëndron me atë se festimi i ditëlindjes së Pejgamberit a.s. është vepër e lejuar dhe se ai i cili e feston ka shpërblim. Ata që dyshojnë në qëndrimin e Ibn Tejmijjes r.a. nuk e kundërshtojnë me argumente por me ofendime dhe me akuzen duke thënë: "se kjo është rrenë", e kur u ofron librin e Ibn Tejmijjes r.a. të ofendojnë dhe të shajnë në mënyrën më të poshtër dhe arrogante duke harruar hadithin e Pejgamberit a.s. "Të ofenduarit e myslimanit është mëkat i madh (fisk), ndërsa mbytja e tij është vepër që rrezikon besimin".

Ne nuk mërzitemi për këto ofendime dhe akuza por neve na intereson argumenti dhe mënyra e argumentimit se si e kanë shprehur dhe argumentuar dijetarët e mëdhenj islam. Andaj duke parë se dikush mundohet të hedh dyshime në mesin e xhematit tonë se shumë çështje ata që i veprojnë janë bidate, e njëra prej atyre çështjeve është edhe festimi i ditëlindjes së Pejgamberit a.s. që sipas tyre është bidat dhe vepër e pa pranuar në islam. Duke i parë këto bindje jo reale e ndjeva si obligim që një gjë të tillë ta shpjegojë me anë të fakteve dhe qëndrimeve të dijetarëve Islam, e jo sipas bindjes time . Po ashtu ajo që më dha kurajë që të shkruaj këtë temë është se dijetari dhe shejhul Islami Ibn Tejmije r.a. është i mendimit se lejohet festimi i ditëlindjes së Pejgamberit a.s..

Para se të hyjë në temë dua t'i potencojë tri gjëra që kanë të bëjnë me ditëlindjen e Pejgamberit a.s.:

1. Festimi i ditëlindjes së Pejgamberit a.s. është vepër e lejuar, dhe se lejohet tubimi i besimtarëve për të dëgjuar historinë dhe poezitë që e lavdërojnë Pejgamberin a.s., po ashtu lejohet shpërndarja e ushqimit dhe futja e haresë dhe gëzimit në mesin e besimtarëve për shkak të ditëlindjes së Pejgamberit a.s.
2. Festimi i ditëlindjes së Pejgamberit a.s. nuk duhet të bëhet vetëm në ditën e lindjes por duhet të përkujtohet Pejgamberi a.s. në çdo ditë dhe në çdo moment ngase ai është drita dhe modeli me i mirë për ne.
3. Që dita e festimit të ditëlindjes së Pejgamberit a.s. të shfrytëzohet për tu shpjeguar dhe përkujtuar besimtarëve jetën dhe veprën e Pejgamberit a.s..

Dua tu përmendi atë se gjatë shtjellimit të kësaj teme nuk kam shprehur mendimet e mia personale por vetëm i kam përmendur mendimet e dijetarëve të mëdhenj mysliman dhe qëndrimet e tyre për festimin e ditëlindjes së Pejgamberit a.s..


Çka synohet me festimin e ditëlindjes?

Me festimin e ditëlindjes së Pejgamberit a.s. synohet vetë Islami, ngase Pejgamberi a.s. është shembull praktik i Islamit. Mu për këtë dijetari i mirënjohur bashkëkohor Muhammed Muteveli Sha'ravi ne librin e tij "Maidetul Fikril Islamijj" faqe 295 thotë: "Kur i gjithë njerëzimi janë gëzuar me ardhjen e Pejgamberit a.s. në këtë botë, po ashtu janë gëzuar të gjitha krijesat, bimët, xhinët, bota inorganike për lindjen e Pejgamberit a.s., pse vallë ne te mos gëzohemi dhe te festojmë ditëlindjen e tij".


Argumentet të cilat konfirmojn se festimi i ditëlindjes së Pejgamberit a.s. është veper e lejuar të zbatohet (xhaiz)!

Përmendet në "Sahihul Buhari" se Pejgamberi a.s. ka përmendur se Ebu Lehebi për çdo ditë të hënë i lehtësonte dënimi i zjarrit te xhehenemit për arsye se nga gëzimi e kishte liruar robëreshën e tij e cila e kishte informuar për lindjen e Muhammedit a.s., (Kitabun Nikah).

Disa nga dijetarët mendojnë se festimi dhe gëzimi për ditëlindjen e Pejgamberit a.s. është qartësuar edhe nga ajeti 58 i kaptinës Junus: "Thuaj: Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t'i gëzohen ...". Sipas komentatorëve te Kur'anit mirësia me e madhe është dërgimi i Pejgamberit a.s. dhe rahmet për çdo send, pastaj gëzimi për ardhjen e Pejgamberit a.s. është gjë e porositur.

Se lejohet të festohet ditëlindja e Pejgamberit a.s. disa nga dijetarët e mbështesin mendimin e tyre në hadithin e transmetuar nga Muslimi se kur është pyetur Pejgamberi a.s. pse agjëron ditën e hënë dhe te enjte ai është përgjigjur duke thënë: "Se ne këtë dite (e hënë) kam lindur dhe mu ne këtë dite ka filluar të me vije shpallja", (Sahihul Muslim, kitabu Sijam). Po ashtu këta përmendin atë se Pejgamberi a.s. ka pre kurban për ditëlindjen e tij.


Qëndrimi i dijetarit dhe shejhul islamit Ibn Tejmije r.a. për festimin e ditëlindjes së Pejgamberit a.s.!

Dijetari i madh dhe shejhul Islami Ibn Tejmije r.a. ne librin e tij "Iktidau-s-siratil Mustekim Muhalefetu As'habil Xhehim" në faqen 297 shprehet: "Të respektuarit e ditëlindjes së Pejgamberit a.s. dhe konsiderimi i ditëlindjes së tij si festë, që disa nga njerëzit e bëjnë është vepër e cila do të shpërblehet për shkak të qëllimit të mirë të tyre dhe respektimit e dashurisë ndaj Pejgamberit a.s.".

Do të kishim pyetur: "vallë Ibn Tejmije r.a. me ketë veprim e ka propaganduar bidatin e tillë?"! Jo, ai nuk ka mjaftua vetëm me atë se lejohet festimi i ditëlindjes së Pejgamberit a.s. por u shpreh duke thënë se: "ata të cilët e festojnë për respekt dhe dashuri ndaj Pejgamberit a.s. do të shpërblehen nga Allahu xh.sh.".

Kur lexojmë librin "Mexhmeul Fetava" pjesa 22 faqe 523 do të shohim se Ibn Tejmije r.a. është pyetur se çfarë mendon për ata njerëz që tubohen lexojnë Kur'an dhe e përmendin Allahun xh.sh. vetëm e vetëm për tu afruar te Allahu xh.sh.? Është përgjigjur : "Elhamdulilah, tubimi për të lexuar Kur'anin dhe të bërit dua është vepër e pëlqyer dhe e mire".


Qëndrimi i dijetarëve të njohur

1. Imam Sehaviju r.a. thotë: "Edhe po qe se në këtë nuk ka kurrfarë dobi përveç asaj që shejtani do të hidhërohet dhe besimtarët do të gezohen do të mjaftonte (për tu festuar ditëlindja e Pejgamberit a.s.)".

2. Dijetari i madh El-Kastalaniju thotë: "Vazhdimisht muslimanët pas tri gjeneratave e festojnë ditëlindjen e Muhammedit a.s. duke dhënë sadaka të ndryshme, duke shfaqur gëzim, duke i shtuar veprat e mira, duke lexuar historikun e lindjes se Pejgamberit a.s., dhe mu për ketë ata kane begati dhe bereqet".

3. Dijetari Ebu Shame r.a. mësuesi i imam Neveviut r.a. thotë: "Më e mira risi që është paraqit ne kohen tone, është ajo çka veprohet çdo vit për ditëlindjen e Pejgamberit a.s. duke u dhënë sadaka dhe duke u shprehur gëzimi për lindjen e Muhammedit a.s. dhe respektin ndaj tij duke e falënderuar Zotin e gjithësisë që e ka dërguar Muhammedin a.s. si mëshirë për mbarë botët".

4. Komentatori i Sahihut të Buharis, dijetari i madh dhe shejhul Islami Ibn Haxher El-Askalaniju , është pyetur për festimin e ditëlindjes së Pejgamberit a.s. e i cili është përgjigjur kështu: "Në parim kjo vepër është risi e cila nuk është zbatuar nga tri gjeneratat e para (sahabet, tabi'inet dhe tebei tabi'inet), mirëpo ne këtë veprim (festim) ka gjera te mira, dhe për këtë mund të konkludojmë se është risi e mire. Këtë e mbështes në atë që përmendet në Buhari dhe Muslim se Pejgamberi a.s. kur ka arritur në Medine i ka parë Jehudit duke agjëruar ditët e ashures, dhe i ka pyetur ata perse agjerojnë? Ata i kanë thënë: "Kjo është dita kur Allahu e ka përmbysur Firaonin, e ka shpëtuar Musaun, dhe mu për këtë agjërojmë si falënderim ndaj Allahut". E Pejgamberi a.s. u tha: "Ne jemi më meritor të agjërojmë për Musaun se sa ju!".

5. Dijetari dhe imami bin I'jadi r.a. thotë: "Festimin e ditëlindjes së Pejgamberit a.s. e konsiderojë si festë për muslimanet, festë në të cilën muslimanet shprehin gëzimin dhe harenë e tyre për ditëlindjen e Pejgamberit a.s. Këtë festë e konsiderojë të lejuar kur bëjë kijas (analogji) në festat tjera".

6. Dijetari i madh imam Sujutiu mendon se: "festimi i ditëlindjes është gjë e lejuar", dhe e mbështet mendimin e tij, në transmetimin e Behjekiut nga Enesi r.a. i cili ka treguar se Pejgamberi a.s. pasi është bërë pejgamber ka pre kurban për ditëlindjen e tij. Dihet se gjyshi i Pejgamberit a.s. ka pre kurban ditën e shtat te lindjes së Pejgamberit a.s. dhe se nuk ka nevojë të ripërseritet një gjë e tillë. Mendohet se ajo që e ka shtyrë Pejgamberin a.s. të therë kurban për ditëlindjen e tij ka qënë një lloj falënderimi ndaj Krijuesit të tij, e të cilin e dërgoj se mëshirë për gjithë botët dhe respekt për ummetin e tij, i cili po ashtu i dërgonte salavate vetës së tij. Rekomandohet për ne si musliman t'i shprehim falënderimet tona ndaj Allahut xh.sh. për ditëlindjen e Pejgamberit të Tij, duke u tubuar vëllezërit musliman, duke dhëne sadaka e të ngjashme.

7. Dijetari i mirënjohur Hafidh Shemsu Din bin Nasirudin Ed-Dimeshkiju r.a. thotë: "Është vërtetuar me transmetim të vërtetë se Ebu Lehebit i lehtësohet dënimi në xhenhennem ditën e hënë vetëm e vetëm pse e ka liruar robëreshën e tij e cila e kishte përgëzuar për ditëlindjen e Muhammedit a.s.".

Dhe mu për këtë ky dijetarë thurë këtë poezi:

Kur këtij pabesimtari i vjen lehtësimi,
Pasi është i mallkuar dhe dënuar me Xhehennem përgjithmonë,
Sa herë që vjen dita e hënë,
I lehtësohet dënimi për shkak të gëzimit që e ka shprehë për Ahmedin,
Çka mendohet për robin i cili gjate tërë jetës së tij, Ka qenë i gëzuar për Ahmedin dhe ka vdekur meiman.

8. Dijetari i mirënjohur dhe ish myftiu i Mekkes Ahmed Zejd Dahlani (ka vdekur me 1066 h.) thotë: "Tradita e njerëzve të cilët e festojnë ditëlindjen e Pejgamberit a.s. për respekt dhe nderim ndaj Pejgamberit a.s. është një vepër e pranuar tek shumica e dijetarëve myslimanë dhe se është një vepër që e kanë vepruar shumë dijetarë të këtij ummeti".

9. Dijetari dhe muxhtehidi i mirënjohur Imam Shewkanijju ka thënë: "Festimi i ditëlindjes së Pejgamberit a.s. është vepër që lejohet të zbatohet".

10. Transmeton Ibn Betuta historian i njohur i shekullit VIII hixhrijj i cili përmend këtë: "Pas çdo namazi të xhumas dhe në ditën e ditëlindjes së Pejgamberit a.s. hapeshin dyert e Qabes nga rojet e saj dhe se kadiu i Mekkes Nexhmuddin bin El-Imam Muhjjiddin Taberiu shpërndante ushqim për të gjithë njerëzit në Mekke".


Librat e shkruara nga dijetaret e hershem islam për festimin e ditëlindjes së Pejgamberit a.s.:

Ibn Nasirid-Din ed-Dimeshkiju ka shkruar dy libra: a. EL-MEWRIDU-SAVIJU FI MEWLIDIL HADIJJI, b. XHAMIUL ATHARI FI MEWLIDIL MUHTARI.
El-Irakiju ka shkruar librin: ELMEWRIDUL HENIJJU FIL MEWLIDI SENIJJI.
Imam Sehaviju ka shkruar librin: EL-FAHRUL ULEVIJJU FIL MEWLIDI NEBEVIJJI.
Imam Sujutiu r.a. ka shkruar librin: HUSNUL MAKSADI FI AMELIL MEWLIDI.
Ibn Kethiri r.a. e ka te shkruar nje libër për ditëlindjen e Pejgamberit a.s..


Në fund kisha me e përmbyll me atë se po qe se e festojmë ditëlindjen e Pejgamberit a.s. për respekt dhe dashuri ndaj Pejgamberit a.s. do te ishte me mire duke u mbështetur ne mendimet e atyre qe e lejojnë festimin e ditëlindjes së Pejgamberit a.s., gjatë festimit te rikujtojmë atë se Pejgamberi a.s. dhe veprat e tij janë shembull dhe model për ne muslimanet.

Allahu E'alem.



Autor: Flamur Sofiu

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...