Manifestimi i mevludit Traditë e mirë



Thelbi i manifestimit të mevludit, i cili përbëhet nga tubimi i muslimanëve, këndimi i Kur'anit, recitimi i ngjarjeve madhështore në lidhje me ardhjen e Muhammedit a.s., në këtë botë dhe shtruarja e sofrës, duke mos i shtuar diçka të qortuar kësaj që u përmend, e manifestimi i këtillë i mevludit është nga traditat e mira për të cilin vepruesi i saj do të shpërblehet, [1] sepse me një manifestim të tillë të mevludit shprehet respekti ndaj të Pejgamberit a.s., dhe tregohet gëzimi dhe lumturia për lindjen e tij. Manifestimin e mevludit i pari e futi në praktikë sundimtari i Irbilit (Irak), El-Muzaffer Kevkeberi bin Zejnuddin Ali ibn Bektekin, njëri ndër sundimtarët e famshëm dhe bujari i madh, i cili pas vetes la shumë gjurmë të bukura (hajraate). Ndër të tjera është edhe xhamia e madhe Muzaferije rrëzë malit në Kasjon. Hafidh ibn Kethiri në veprën e tij Et-Tarih për të thotë: "Në mënyrë të mrekullueshme në muajin rebi'ul-evvel e manifestoi mevludi sherifin. Ishte mendjehollë, guximtar, i patrembur, inteligjent dhe i drejtë, Allahu e mëshiroftë. Hafidh El-Hattab ibn Dihje ia shkroi një përmbledhje mbi lindjen e Pejgamberit a.s., me titullin Et-Tenvir fi mevli-di-l-beshiri-n-nezir, e për këtë e shpërbleu me 1.000 monedha ari. Sundimi i El-Muzafferiut ka zgjatur gjatë, kurse vdekja e ka gjetur duke i mbajtur të rrethuar kryqtarët në qytetin Akki, në vitin 630 h.. Ka qenë i moralit të bukur dhe shpirtit të mirë".

Nipi i Ibnul-Xhevziu, në veprën Mir'aatuz-Zemaan, thotë: "Disa njerëz të cilët kanë prezantuar në sofrat e El-Muzefferiut me rastin e manifestimit të mevludit, kanë numëruar që në ato sofra janë gjendur nga 5.000 dhenë të pjekura, 1.000 zogj pulash të pjekur, 100.000 çanak kajmaku dhe 30.000 enë me hallvë. Në ato mevlude kanë prezantuar dijetarë të njohur të cilët sundimtari bujar pa ndonjë interes i ka shpërblyer. Për çdo vit për manifestimin e mevludit ka harxhuar 300.000 monedha ari. Ka organizuar konak, në të cilin ka pranuar mysafirë nga të gjitha anët, për të cilin në vjet ka ndarë 100.000 monedha ari. Gjithashtu për çdo vit, në vlerë prej 200.000 monedha ari, nga kryqtarët ka blerë muslimanë të robëruar. Për dy haremet (Mekës dhe Medinës), e edhe ujësjellësin në Hixhaz, ka ndarë 300.000 monedha ari. Dhe gjithë kjo jashtë ndarjeve të fshehta. Gruaja e tij, Rabija-hatun, vajza e Ejjubit, ndërsa motra e pushtetarit të madh islam Salahudinit, ka treguar që këmisha e tij ka qenë nga pambuku i trash, e cila nuk ka kushtuar as 5 monedha argjendi". Për të ajo e ka qortuar, por ai i është përgjigjur: "Më mirë më vjen të mbaj këmishë që vlen 5 monedha argjendi, e tjetrën ta shpërndaj, se sa të mbaj petk të shtrenjtë duke mos u shpërndarë të varfërve dhe nevojtarëve".


1000 monedha ari për një koleksion të mevludit

Ibn Halikani, në biografinë mbi hafidhin Ebul Hattabu ibn Dihje (shkruesin e mevludit), thotë: "Ka qenë prej dijetarëve të dalluar dhe personaliteteve të shquara. Ka ardhur nga Magribi, pastaj një kohë ka jetuar në Sham, ndërsa në vitin 604 h. është vendosur në Irbil. Këtu e ka takuar sundimtarin e dëgjuar El-Muzafferin i cili rëndësi të madhe i ka dhënë manifestimit të mevludit dhe ia ka përshtatur një koleksion të mevludit të cilin e ka titulluar Et-Tenvir fi mevlidi-l-beshiri-n-ne-zir që ia ka recituar personalisht. Sundimtari El-Muzeffer për këtë e ka shpërblyer me 1.000 monedha ari". Vetë hafidh ibn Dihje ka thënë: "Kam lexuar mevlud përpara sulltan El-Muzefferit në vitin 625 h. në gjashtë mexhlise".

Shejh Taxhudin Omer ibn Ali El-Lahmi Es-Skenderi, i njohur si El-Faakihaani, një ndër dijetarët e vonshëm malikij, ka pohuar që manifestimi i mevludit është risi e qortuar. Për këtë ka shkruar një traktat me titullin El-Mevrid fil-kelami ala ameli-l-mevli. Këtu do ta shënoj tekstualisht traktatin e përmendur, duke e komentuar veç e veç çdo qëndrim të tij.

El-Fakihani, Allahu e mëshiroftë, ka shkruar: "Falënderimi i takon Allahut, i Cili na ka udhëzuar në ndjekjen e të parëve të të gjithë të dërguarve a.s., i Cili na ka përmbajtur në ruajtjen e vlerave fetare, dhe i Cili na e ka lehtësuar ndjekjen e të parëve të drejtë, e zemrat na u mbushnin me dritën e njohurive të sheriatit dhe me të vërtetën e qartë, duke na pastruar brendinë nga e gjithë negativiteti dhe risia në fe. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, të Vetmit, i Cili nuk ka shok dhe dëshmoj se Muhammedi a.s., është rob dhe i Dërguari i Tij, i pari të gjithëve nga të parët dhe të vonshmit, salavati i Allahut qoftë mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij, mbi gratë e ndershme të tij - nënat e besimtarëve, deri në ditën e Gjykimit".

Dhe pastaj: "Nga ana e një grupi njerëzish të devotshëm përsëritet pyetja në lidhje me tubimin e atyre që në muajin rebi'ul-evvel manifestojnë mevludin. A është ai manifestim i bazuar në sheriat apo është risi që është futur në fe"? Në këtë pyetje kanë kërkuar përgjigje decide duke e argumentuar. Dhe, duke kërkuar udhëzim nga Allahu, them: "Nuk më është e njohur që për manifestimin e mevludit ka ndonjë bazë në Kur'an dhe Sunnet. Ajo praktikë nuk është e përcjellur as nga ndonjë dijetarë i cili në këtë ummet konsiderohet shembull, as nga dikush që në përpikëri i është përmbajtur traditës. Manifestimi i mevludit është risi të cilin e shpikën pasivt, të papunët dhe ata të cilët dëshirojnë t'i mbushin barqet e tyre. Argumenti që manifestimi i mevludit është risi është në faktin që ekzistojnë vetëm pesë rregulla fikhore, d.m.th. vaxhib, mendub, mubah, mekruh dhe haram. Dihet sigurt që manifestimi i mevludit nuk është vaxhib (urdhër), as që është mendub (punë e pëlqyer, e rekomanduar). Sepse, mendub është ai veprim që sheriati e rekomandon, mirëpo nuk e dënon atë që e shpërfill. Ndërsa manifestimin e mevludit, aq sa unë kam njohuri, sheriati nuk e lejon, as që këtë e kanë vepruar as'habët dhe as tabiinët e devotshëm. Kjo është përgjigjja ime para Allahut në lidhje me manifestimin e mevludit, nëse do të pyetem për këtë".

Manifestimi i mevludit nuk mund të jetë as mubah (e lejuar), sepse risia në fe nuk është e lejuar, për çka pajtohen të gjithë muslimanët. Nga kjo, nuk mbetet gjë tjetër që manifestimi i mevludit të jetë vetëm se mekruh (e qortuar) ose haram (rreptësisht e ndaluar). Në këtë kontekst, sqarim do të ofrojmë në këto dy shembuj vijues.

Në rastin e parë: le të paramendojmë që këtë njeriu e bënë nga pasuria e tij, për familjen dhe shoqërinë e tij, me atë rast duke mos u ulur afër sofrës dhe duke mos bërë asnjë mëkat. Një situatë e këtillë është risi e qortuar, sepse atë askush nga robërit e respektuar të së kaluarës, të cilët kanë qenë fakiha dhe dijetarë të islamit, të kohërave të ndritshme dhe vendeve të bukura, nuk e kanë punuar.
Në rastin e dytë: grumbullimi përfshinë edhe mëkatin, qw dikujt ti shpërndahet ndërsa tjetrit t'i dhemb zemra. Ndërsa dijetarët kanë thënë: "Të marrët e pasurisë me turp është sikur marrja e saj me shpatë".

Posaçërisht, nëse krahas kësaj i shtohen edhe të rënat e instrumenteve të ndaluara dhe barqet e mbushura, pastaj vajzat, dhe gjithë kjo duke ndodhur ashtu që burrat dhe të rinjtë të përzihen me gratë mashtruese, pavarësisht nëse ato përzihen me meshkujt apo i shikojnë nga ndonjë vend më i lartë. Pastaj aty paraqitet edhe vallëzimi i cili çon deri te zhytja në argëtim dhe të harrimi i Ditës së Gjykimit. Njëjtë është edhe nëse gratë mblidhen vetë dhe krahas këngës i rrahin duart dhe duke fishkëlluar i grenë zërat e tyre, ose t'i ngrin zërat gjatë leximit të Kur'anit ose dhikrit i cili sipas sheriatit nuk është i lejuar, duke i shpërfillur fjalët e Allahut: "Zoti yt, me të vërtet, është që përcjell (u rri në pritë)". [2]

Nuk ka asnjë e të mos thotë që tubimi i këtillë është haram. Asnjë nga ata të cilët mbahen të njerëzishëm një gjë të tillë nuk e konsiderojnë të lavdëruar. Ajo është e lejuar vetëm te ata që zemrat i kanë të vdekura dhe të cilët mëkatet i konsiderojnë gjëra të imëta. Madje, tubimin e këtillë ata e konsiderojnë ibadet (adhurim), e jo në punët e qortuara dhe të ndaluara. Mbi këtë vetëm mund të themi: Të gjithë ne jemi të Allahut dhe Atij do t'i kthehemi. Islami ka filluar me individë (gariba) dhe me individë do të përfundoj. Bukur thotë shejh El-Kusheri kur flet, në çka plotësisht pajtohemi me të:

"Në këto ditë të rënda tonat. E keqja është bërë e mirë dhe e mira e keqe. Njerëzit e ditur të poshtëruar janë bërë. Ndërsa të paditurit të lavdëruar dhe pashallarë. Mirëpo, është e vërtetë që ata janë larguar nga e vërteta. Atë çka e veprojnë s'është traditë e të parëve. Dhe njerëzve të ndershëm. Të fesë dhe takvasë do u thosha. Kur të rritet ky rrezik dhe ky dëm. Mbetuni të qëndrueshëm, ka ardhur koha juaj. Koha e vetmisë së vërtetë dhe e mërgatës".

Shumë bukur ka thënë edhe imam Ebu Amr ibn El-'Ala: "Njerëzit do të jenë në të mirën gjersa nuk do të magjepsen me vetveten". Në fund, duhet ditur edhe atë që muaji në të cilin Pejgamberi a.s., është i lindur, e ai është rebiu'l-evveli, është edhe muaji në të cilin Pejgamberi a.s., është shpërngulur në Ahiret, ashtu që gëzimi në këtë muaj nuk është më i favorshëm se pikëllimi në të. Kjo është ajo që kishim për të thënë, ndërsa nga Allahu kërkojmë që atë ta pranojë.


Argumenti i Ibn Haxherit

Kjo është gjithë ajo që e ka shënuar El-Fakihani në traktatin e tij të lartshënuar, ndërsa unë them: "sa i përket fjalëve të tij: "Nuk më është e njohur që për manifestimin e mevludit ka ndonjë bazë në Kur'an dhe Sunnet", në këto fjalë, përgjigjet: "mosnjohja e diçkaje nuk nënkupton edhe mosekzistimin e saj". Hafidh Ibn Haxheri për manifestimin e mevludit ka gjetur mbështetje në Sunnet, ndërsa unë kam gjetur mbështetje tjetër të cilën do ta theksoj më vonë.

Në fjalët e tij: "por, manifestimi i mevludit është risi të cilën e shpikën dembelët, të papunët dhe ata të cilët dëshirojnë t'i mbushin barqet e tyre", përgjigjja është: "Vetëm se u tha që manifestimin e mevludit e shpiku sundimtari i drejtë dhe i ditur, i cili me të kishte për qëllim të afruarit tek Allahu xh.sh.". Në ato manifestime kanë marrë pjesë dijetarë dhe robër të mirë, të cilët në manifestime të tilla nuk kanë parë me pezëm. Me atë mënyrë të manifestimit të mevludit ka qenë i kënaqur edhe Hafidh Ibn Dihje i cili edhe e ka shkruar koleksionin e mevludit. Këto të gjithë ishin dijetarë të devotshëm të cilët me manifestimin e mevludit kanë qenë të kënaqur, të cilët e kanë lavdëruar atë dhe me as një fjalë nuk e kanë përgënjeshtruar. "E as që është mendub (punë e pëlqyer, e rekomanduar). Sepse, mendub është ai veprim që sheriati e rekomandon, mirëpo nuk e dënon atë që e shpërfill". Në këtë qëndrim përgjigjet: "të kërkuarit e veprimit tek mendubi ndonjëherë është me tekst e ndonjëherë me analogji. Sipas kësaj, edhe pse nuk ka tekst, megjithatë ekziston analogjia, dhe atë në bazë të dy themeleve të cilat do ti theksojmë më vonë".

Fjalët e tij: "Manifestimi i mevludit nuk mund të jetë as mubah (e lejuar), sepse risia në fe nuk është e lejuar, për çka pajtohen të gjithë muslimanët", janë fjalë të cilat nuk mund të pranohen, sepse risia nuk lidhet vetëm me haramin dhe mekruhin, meqë ekzistojnë risi evidente të cilat janë mubah, mendu dhe vaxhib. En-Nevevi në veprën Tehzibul-Esmai vel-lugat thotë: "Risia në sheriat është të futurit e diçkaje që nuk ka qenë në kohën e Pejgamberit a.s., ndërsa ndahet në të mirë (hasen) dhe të keqe (kubh)".

Imam Izzudin b. Abdu's-Selam në veprën e tij El-Kavaid thotë: "Risia ndahet në atë që është e obliguar (vaxhib), e ndaluar (haram), e lavdëruar (mendua), e qortuar (mekruh) dhe e lejuar (mubah). Se cila nga këto risi është në pyetje kuptohet ashtu që risia vendoset përpara rregullave të sheriatit. Nëse risia hyn në rregullat e vaxhibit, atëherë ajo është obligative (vaxhib), nëse hyn në rregullat e haramit, atëherë është e ndaluar (haram), nëse hyn në rregullat e mendubit, atëherë është e lavdëruar (mendub), nëse hyn në rregullat e mekruhit, atëherë është e qortuar (mekruh) dhe nëse hyn në rregullat e mubahit, atëherë është e lejuar (mubah)". Pastaj për çdo lloj risie ka përmend shembuj, ndërsa për risinë e lavdëruar (mendub) ka përmend shembuj të ndërtimit të kraullëve, medreseve dhe të institucioneve mirëbërëse të cilat nuk kanë ekzistuar në kohën e Pejgamberit a.s..


"Risi e lavdëruar"

Në veprën Menakibu-sh-Shafii, El-Bejhekiu, me zinxhirin e tij të transmetuesve, shënon se Imam Shafiu ka thënë: "Dy lloje risish (bid'ate) janë. Njëra është ajo e cila është në kundërshtim me Kur'anin, Sunnetin, etherin dhe Ixhmain, dhe ajo është risia që çon në mashtrim. E dyta është ajo që çon në të mirë, e cila nuk është në kundërshtim me burimet e lartpërmendura. Një risi e tillë nuk mund të jetë e qortuar. Për shembull, Omeri r.a., për teravinë gjatë netëve të ramazanit ka thënë: "E bukur është kjo risi", çka nënkupton se ajo është e futur në praktikë pasi që nuk ka ekzistuar ...".

Nga gjithë kjo që u përmend qartë shihet se qëndrimi i El-Fakihanit nuk është i saktë kur thotë: "Manifestimi i mevludit nuk mund të jetë mubah (i lejuar), sepse të futurit e risë në fe nuk është e lejuar, në çka pajtohen të gjithë muslimanët. Është e vërtetë ajo që manifestim i mevludit është risi, por është risi e cila nuk kundërshton as Kur'anin, as Sunnetin, as etherit, as Ixhmasë", dhe manifestimi mevludit është "risi e cila nuk mund të jetë e qortuar" siç është shprehur Imam Shafiu. Manifestimi i mevludit bën pjesë në bamirësi (ihsan), e cila, megjithëse nuk ka qenë në kohën e as'habëve, sepse shpërndarja e ushqimet, duke mos bërë gjynah, padyshim është bamirësi dhe ajo është "risi e lavdëruar" (el-bid'atul-mendube), siç është shprehur Ibn Abdu's-Selma.

Fjalët e tij: "Në rastin e dytë grumbullimi e përfshinë edhe mëkatin ...", plotësisht janë të vërteta, megjithatë, ndalimi i grumbullimit të tillë është për shkak të gjërave të ndaluara të cilat i janë shtuar mevludit, e jo për shkak të vet grumbullimit për të shprehur gëzimin me manifestimin e mevludit. Sepse, kur gjëra të tilla të ndaluara do t'i shtoheshin p.sh., namazit të xhumasë, edhe atëherë ato do të ishin të neveritshme dhe të shëmtuara, por ajo assesi nuk do të thotë që nuk vlen edhe për vet grumbullimin për shkak të namazit të xhumasë, siç është plotësisht e qartë.

Disa situata të shëmtuara i kemi vënë re edhe në netët e ramazanit gjatë grumbullimit të njerëzve për të falë namazin e teravive. Dhe a është e mundur që grumbullimin për faljen e teravisë të shpallet haram për shkak se krahas grumbullimit ndonjëherë i shtojnë gjëra të këqija?! Jo, por ne themi: grumbullimi për kryerjen e teravisë bazohet në Sunnet dhe qëllim për t'iu afruar Allahut xh.sh., ndërsa gjithçka që shtohet nga gjërat e shëmtuara, ato gjërat e shtuara janë të shëmtuara. Prandaj themi: "Të grumbulluarit e njerëzve për hir të manifestimit të mevludit bazohet në mendub dhe qëllim për t'iu afruar Allahut xh.sh., ndërsa të gjitha gjërat negative të cilat i shtohen, janë të qortuara dhe të ndaluara".


Lindja e Pejgamberit: mirësia më e madhe e jona

Në fjalët: "Duhet ditur edhe atë që muaji në të cilin Pejgamberi a.s., është i lindur, e ai është rebiu'l-evveli, është edhe muaji në të cilin Pejgamberi a.s., është shpërngulur në Ahiret, ashtu që gëzimi në këtë muaj nuk është më i favorshëm se pikëllimi në të", kështu i përgjigjemi: "Lindja e Pejgamberit a.s., është mirësia e jonë më e madhe, ndërsa shpërngulja e tij në Ahiret është fatkeqësia e jonë më e madhe". Ndërsa, sheriati nxit për të shprehur falënderim për mirësitë, kurse për durim gjatë fatkeqësive. Kështu sheriati urdhëron për prerjen e akikes për lindjen e fëmijës duke shprehur me atë falënderim dhe gëzim për foshnjën e lindur, gjersa atë nuk e obligon me rastin e shpërnguljes në Ahiret, madje e ndalon vajtimin dhe pikëllimin. Rregullat e përgjithshme të sheriatit orientojnë kah ajo që në muajin rebi'ul-evvel të tregohet gëzim për shkak të lindjes së Pejgamberit a.s., e jo të tregohet pikëllim për shkak të asaj që në këtë muaj ka ndodhur edhe shpërngulja e tij në Ahiret.

Ibn Rexhepi në veprën El-Letaif i qorton rafidinjtë për shkak të asaj që ato Ditën e ashures e kanë marrë si ditë zie, sepse në atë ditë është vrarë hazreti Husejni. Allahu dhe i Dërguari i Tij a.s., nuk kanë urdhëruar që ditët e pësimit të të dërguarve të merren si ditë zie, e si mund pra kjo të praktikohet në lidhje me disa të cilët janë nën gradën e pejgamberllëkut?! Gjithashtu edhe imami Ebu Abdullah Ibnul-Haxh në veprën e tij El-Medhal ala amelil-mevlid, në mënyrë shumë të saktësuar është shprehur mbi manifestimin e mevludit. Thelbi i fjalimit të tij gjendet në atë se ai e konsideron të lavdëruar shprehjen e falënderimit për mirësitë, ndërsa të shëmtuara dhe të urryera të gjitha ato që numërohen në gjërat e ndaluara dhe të qortuara.


Të mbahesh për gjërat e mira

Shejhu'l-islami, Hafidh Ebu-Fadl Ibn Haxheri është pyetur për manifestimin e mevludit, dhe është përgjigjur kështu: "Manifestimi i mevludit është risi, sepse nuk është transmetuar që atë e kanë vepruar pararendësit e vërtetë (selef'u-Salih) nga tri shekujt e parë të islamit. Megjithatë, manifestimi i mevludit përfshinë shumë gjëra të mira, por edhe ato të kundërtat me to. Për atë i cili u përmbahet gjerave të mira, dhe u largohet të shëmtuarave, për të manifestimi i mevludit është risi e mire (bid'a hasen), kurse në të kundërtën nuk është.

Manifestimi i mevludit, sipas mendimit tim, mund te praktikohet në bazë të parimit të qëndrueshëm i cili gjendet në përmbledhjet e Buhariut dhe Muslimit, a ka të bëj me rastin kur Pejgamberi a.s., erdh në Medine dhe i gjeti hebrenjtë duke e agjëruar Ditën e ashures. Pastaj i ka pyetur për çka e bëjnë atë, kurse ata i janë përgjigjur që ajo është dita kur Allahu xh.sh., e fundosi Faraonin dhe e shpëtoi Musain a.s., dhe atë ditë agjërojnë në shenjë falënderimi ndaj Allahut të Lartësuar.

Nga rasti i përmendur mund të nxirret përfundimi se të falënderuarit Allahun në ditë të caktuar për shkak të ndonjë mirësie të caktuar të cilën e ka çuar në atë ditë, ose për shkak të fatkeqësisë të cilën në atë ditë e ka larguar, është veprim i lejuar. Dhe se kjo ditë për çdo vit mund të kalohet në falënderim ndaj Allahut xh.sh., krahas ibadeteve të ndryshme: namaz, agjërim, sadakë, lexim të Kur'anit, etj.. A ka ndonjë mirësi më të madhe se sa dërgimi i Pejgamberit a.s., të dërguarin e mëshirshëm, në atë ditë të rebi'u-l-evvelit?

Në bazë të ndodhisë së lartpërmendur, më mirë do të ishte të kërkohet 12 Rebi'ul-evveli, ashtu që norma të përputhet më rrëfimin mbi Musain a.s., në Ditën e ashures. Disa mevludin e manifestojnë në cilëndo ditë të rebi'ul-evvelit, e disa edhe jashtë atij muaji. Kjo është ajo që ka të bëj vetëm me qëndrueshmërinë e manifestimit të mevludit.

Ndërsa, sa i përket mënyrës së manifestimit të mevludit duhet kufizuar në atë se prej nga kuptohet falënderimi ndaj Allahut xh.sh., prej asaj që e përmendëm më lartë, siç është leximi i Kur'anit, shtruarja e sofrës, të dhënurit e sadakës, recitimi i vargjeve në falënderim ndaj Pejgamberit a.s., si dhe vargje fetare të cilat do t'i zgjojnë zemrat për të bërë vepra të mira dhe për ta arritur fatin e ahiretit.


Zbavitja dhe dëfrimi në mënyrë të lejuar

Nuk ka dëm prej asaj që gjatë manifestimit të mevludit të shtohet nga zbavitja dhe dëfrimi aq sa ajo realizohet në mënyrë të lejuar, sepse ajo ditë meriton që në të të ndjehesh i gëzuar dhe i disponuar. Megjithatë, për deri sa ai realizohet në mënyrën që është e ndalur (haram) ose e qortuar (mekruh), atëherë ai duhet penguar, ashtu siç duhet penguar edhe atë që veprohet, ndërsa është në kundërshtim me atë që është në rend të parë (hilafu'l-evla).

Qëndrueshmëria e manifestimit të mevludit, sipas mendimit tim, mund të lidhet edhe me rastin të cilin e shënon El-Bejhekiu nga Enesi r.a., se Muhammedi a.s., ka therë akike (kurban) për veten pasi që është bërë pejgamber. Edhe pse tregohet që për të e ka bërë gjyshi i tij, Abdu'l-Mutalibi, kur i ka bërë shtatë ditë. Është e njohur se akika nuk përsëritet dy herë, e nga veprimi i Pejgamberit a.s., mund të kuptohet që Pejgamberi a.s., më këtë akt ka dashur që ta falënderoj Allahun xh.sh., në atë që e ka caktuar që te jetë i dërguar i mëshirshëm për gjithë botët dhe ligjvënës i ummetit të tij. E ngjashme me këtë është edhe fakti që Pejgamberi a.s., ka çuar salavat mbi vetveten e tij. Për shkak gjithë kësaj që u theksua është mirë (mustehab) edhe për ne që të shprehim falënderim për lindjen e tij ashtu që të grumbullohemi në xhemat, të shtrojmë sofrën dhe të bëjmë vepra tjera të mira, duke shprehur me të fatin tonë.


Gëzimi i netëve të mevludit

Kam parë që edhe imami i Kiraeteve, hafidh Ibn Xheriri, në veprën e tij Urfut-ta'rif bil-mevlidi-sh-sherif, ka shkruar: Ebu Lehebi pas vdekjes është parë në ëndërr, dhe në atë moment është pyetur: "Si është gjendja jote?". Është përgjigjur: "Unë jam në zjarr, megjithatë, çdo mbrëmje në prag të të Hënave, më lehtësohet, e ndërmjet gishtërinjve largoj etjen me ujë aq sa është kjo, duke treguar majën e gishtit - kurse kjo është për shkak të asaj që e kam liruar robëreshën Suvejben pasi që më gëzoi më lindjen e Pejgamberit a.s., dhe për atë që e ka ndihmuar atë gjatë dhënies gji (tajisjes). Nëse Ebu Lehebi si pabesimtar, për shkak të të cilit është zbritur surja kur'anore e cila e qorton atë, ka fituar shpërblim në zjarr, sepse është gëzuar atë natë kur ka lindur Pejgamberi a.s., e si është atëherë gjendja e muslimanit, i cili dëshmon monoteizmin (tevhidin), i cili është nga ummeti i Pejgamberit a.s., kur gëzohet për shkak të lindjes së tij, dhe bën vepra të mira aq sa do të jetë në gjendje nga dashuria ndaj Pejgamberit a.s.?! Shpërblimi i tij nga Allahu i Lartësuar për të do të jetë që me mirësinë e Tij do ta shty në bukuritë e xhennetit".

Ibnul-Haxh thotë: "Nëse dikush pyet mbi urtësinë që Pejgamberi a.s., ka lindur të Hënën në muajin rebi'ul-evvel, e jo në muajin ramazan në të cilin ka filluar të zbritet Kur'ani dhe në të cilin është Lejletul-Kadri, as në muajt e shenjtë (el-eshurul-hurum), as në natën e pesëmbëdhjetë të Shabanit (Lejletul-berat), as në të Xhumanë e as në prag të xhumasë, duhet që t'i përgjigjet me katër fakte".

I pari: në hadith është shënuar që Allahu i Lartësuar në ditën e hanë i ka krijuar drunjtë dhe bimët. Në të ekziston një shenjë e madhe, për shkak se me krijimin e drithërave, të mbjellat, pemët dhe fryte tjera e vazhdon ekzistencën e gjinisë njerëzore.
I dyti: fjala rebi do të thotë pranverë, çka tregon optimizmin dhe shpresën pozitive. Kurse Abu Abdurrahman es-Sakli thotë që çdo njeri ka pjesë nga emri i tij.
I treti: ashtu si është pranvera koha më e butë dhe më e bukur e vitit, ashtu edhe sheriati i Pejgamberit a.s., është ligji më i bukur dhe më i pranueshëm.
I katërti: Allahu i Gjithëdijshëm ka dashur që me Pejgamberin a.s., ta nderoj kohën në të cilën është lindur, e që është i lindur në njërën prej ditëve të caktuara të cilat më parë i përmendëm, dikush do të mund të mendoj gabimisht se ma atë kohë e nderuar Pejgamberin a.s..

Me këtë edhe e mbaroj. Falënderimi i plotë qoftë për Allahun e Madhërishëm!



Fetvaja e Imam Xhemaludin Es-Sujutit
Përktheu: Mehas ALIJA



_________________________

[1] - Autori tregon në hadithin e Muhammedit a.s.: "Kush fut një traditë të mirë në islam, për atë do të ketë shpërblim si dhe shpërblim për të gjithë ata që do ta pasojnë në atë vepër, dhe që të mos pakësohet shpërblimi i tyre ...", (Muslimi).
[2] - Kur'an (El-Fexhr, 14), nga gjuha arabe përkthyen: hfz. Nexhad Qeman, dhe mr. Almir Fatiq.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...