Islami nuk promovohet me dhunë



Bëjmë luftë për të jetuar në paqe ndërsa fenë e paqes e promovojmë me dhunë.

Kohëve të fundit feja është bërë një çështje mjaft diskutabile, si në mediumet ashtu edhe në shoqërinë tonë. Mirëpo, sa po interpretohet feja ashtu siç duhet dhe sa po përcillet mesazhi i fesë pa i humbur kuptimi i asaj që ka qenë për breza me radhë, më së miri mund ta shihni në reagimet, deklaratat dhe publikimet e fundit nga persona të cilët jo vetëm që nuk u intereson feja, por njëkohësisht mundohen maksimalisht ta shfrytëzojnë atë për të qenë në qendër të vëmendjes dhe për të arritur "famën" për të cilën gjë në Kosovë po luftohet me mish e me shpirt!

Feja Islame në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të jetë fe dominuese e shoqërisë sonë, pjesë e së cilës janë mbi 96 për qind e popullatës Kosovare, por jo të gjithë e praktikojnë atë përkundër faktit që janë deklaruar si të tillë. Mesazhi i fesë i cili gjithmonë ka qenë etik dhe shumë i domosdoshëm të përhapet ashtu siç duhet, viteve të fundit ka filluar të marrë kah të gabuar, jo se nuk po kultivohet ashtu siç duhet, por sepse persona qoftë të njohur, qoftë të panjohur po e radikalizojnë atë, ndërsa dukuria e radikalizmit nuk është se ka ekzistuar më parë në trojet tona.

Mesazhi i fesë gjithmonë duhet të përcillet ashtu siç është, në mënyrë që ai të kontribuoj në vetëdijesimin e popullatës. Në të kundërtën do përhapen konfliktet të cilat do shkaktonin panik tek qytetarët, por edhe tek institucionet të cilat mezi do prisnin të kundër-përgjigjeshin, duke e konsideruar faktin e të qenit shtet laik me një popullsi mbi 1.6 milionë banorë të përkatësisë fetare islame.

Në Kosovë, është bërë traditë që të quhemi mysliman, përkundër faktit që aspak nuk i zbatojmë rregullat fetare në praktikë, ndërsa më e keqja vije kur gabimi i atij "myslimani" nuk gjykohet mbi baza individuale, por mbi bazën e përkatësisë fetare të cilës i takon ai, që në këtë rast nënkuptojmë që feja është ajo e cila gjykohet. Siç thotë një fjalë e urtë: "Nëse bëj gabim unë, më gjyko mua dhe jo islamin. Islami është i përsosur ndërsa unë nuk jam".

Një tjetër dukuri që ka filluar të përhapet me të madhe, por që është e së njëjtës çështje është ajo e etiketimit me emra ndër më të ndryshëm të atyre që i takojnë fesë Islame. Vehabist, terrorist, mjekër-fëlliqtë, taliban etj. janë vetëm disa prej atyre emrave që përdoren më së shumti nga ana e një pakice të shoqërisë që reagojnë kundër fetarëve. Prapë kjo lë të kuptohet që ne si popull aq sa dimë, aq flasim.

Njeriu nuk gjykohet nga ai që është në brendësi, por nga ai që është në pamje, dhe mbi të gjitha i mohohet stili i veshjes së lirë dhe liria e aktivitetit fetar. Ndërsa, ka edhe të atillë që deri dje ishte turpi i shoqërisë, ndërsa tash mundohet të bëhet "melaqja" e shtëpisë duke e përdorur fenë.

Një gjë është e sigurt për tu thënë: thjeshtë, pse shkon në xhami nuk do të të bëj të dukesh njeri i mirë tek të tjerët. Ka prej atyre që nuk falen, por janë më të mirë se ti. Feja duhet të praktikohet dhe të shërbejë si rrugë e mirë për të ardhmen, por në momentin që ajo del nga binarët e saj (gjë që veçse ka filluar në Kosovë) atëherë vajë halli për atë popull dhe atë shoqëri.



Autor: Adlum Ramadani

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...