Xhihadi civil



Nga llojet e xhihadit që kërkon islami është dhe xhihadi civil, me të cilin si kemi qëllim: Çdo vepër që plotëson nevojat e ndryshme të shoqërisë dhe komunitetit, që merret me problemet e shumta, përmbush kërkesat materiale dhe morale në çdo fushë. Xhihadi civil përfshin disa sfera: si atë shkencore, kulturore, sociale, ekonomike, arsimore dhe edukative, shëndetësore dhe mjekësore, ambjentaliste, etj..

Ky lloj xhihadi i ofron arsim të paarsimuarit, punë të papunit, trajnim të patrajnuarit, ushqim të uriturit, veshje të paveshurit, strehë të pastrehut, ilaç të sëmurit dhe përkujdes nevojtarit. Ai rend në ndërtimin e shkollave, për të garantuar arsim për të gjithë fëmijët, në ndërtimin universiteteve për shkollim për të gjithë studentët e interesuar, në ndërtimin e spitaleve për të mjekuar të sëmurët, në ndërtimin e xhamive ku të falen besimtarët, në ndërtimin e klubeve ku sportistët të ushtrojnë hobin e tyre etj..

Dikush nga miqtë e mi më kishte pyetur me dashamirësi, nëse termi "xhihad civil" ishte term i zbuluar dhe i përdorur prej meje, apo e kisha huazuar nga dikush tjetër. Unë i thashë: "Mendoj se jam unë i pari që e përdor, pasi nuk e kam huazuar nga askush tjetër".

Ai ma ktheu: "Uroj që ta aktualizoni dhe thelloni si koncept juridik fetar, me qëllim që të gëzojë përhapje".


Xhihadi shkencor

Kurani fisnik e cek këtë lloj xhihadi (shkencor), duke na orientuar mbi domosdoshmërinë e shfrytëzimit të kapaciteteve aktive në shoqëri në sferën shkencore, të cilës i lipset mobilizim forcash dhe plotësim kërkesash, me qëllim që të përmbushë objektivat. Këtë e gjejmë në suren Teube, në të cilën është folur gjerë e gjatë për munafikët, të cilët e braktisën të dërguarin e Zotit dhe shfaqën neveri për të marrë pjesë në luftë me pasuritë dhe veten. Zoti thotë në këtë sure: "Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, mbasi të kthehet nga lufta, që t'i frikësohet Allahut", (Teube, 122).

Në këtë ajet, Kurani vendos një rregull bazë të rëndësishëm për mirëfunksionimin e shoqërisë islame: Jo përqendrimit të energjive vetëm në një sferë të vetme, por duke neglizhuar edhe sferat e tjera.

Me gjithë rëndësinë e xhihadit luftarak, i cili garanton mbrojtjen dhe sigurinë e shoqërisë dhe të besimit, sidomos në kohën e Profetit a. s, nuk bën që të gjithë kapacitetet dhe energjitë të fokusohen në këtë çështje, duke lënë krejt boshe sferën e arsimit dhe dijes, të cilat janë bazike për umetin.

Kurani thotë, se të rendësh në kërkim të dijes dhe përvetësimit të dijeve fetare, është një nga llojet e xhihadit, gjë të cilën e shpreh me fjalët: "... por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë".

Profeti Muhamed a.s. thotë: "Kush del në kërkim të dijes, është në rrugë të Zotit derisa të kthehet", (Tirmidhiu).


Xhihadi social

Një nga fushat e këtij xhihadi është dhe ai social, si: përkujdesja ndaj familjes, respekti i prindërve, edukimi i fëmijëve, forcimi i lidhjeve farefisnore, etj.. Ndër argumentet sheriatike lidhur me rrënjët e xhihadit social në trashëgiminë tonë, është dhe hadithi i transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, se një burrë i kërkoi leje Profetit a.s. për të marrë pjesë në luftë. Profeti a.s. e pyeti: "A i ke gjallë prindërit"? Ai i tha: "Po". Profeti a.s. i tha: "Atëherë shko, se atje e ke luftën", (Buhari dhe Muslim).

Në këtë hadith, Profeti a.s. e orienton këtë person drejt një xhihadi të një lloji tjetër, përveç atij luftarak, pra e orientoi drejt përkujdesjes për prindërit, sidomos kur janë në moshë të shtyrë dhe të pafuqishëm. Profeti a.s. e orientoi drejt xhihadit civil, në vend të xhihadit ushtarak.

Kushdo që ka haber nga tradita profetike, e di se ajo gëlon nga hadithe, që e përforcojnë këtë koncept, ku përkujdesja familjare konsiderohet si xhihad, me të cilin njeriu fiton shpërblimin e Zotit. Ajo shihet dhe si një arsye për mospjesëmarrje në xhihadin luftarak.

Në një transmetim tjetër, një burrë shkon tek Profeti a.s. dhe i tha: "Të jap besën, se do të emigroj dhe luftoj përkrah teje". Profeti a.s. i tha: "A ke ndonjë nga prindërit gjallë"? Ai u përgjigj: "Po". Profeti a.s. i tha: "A dëshiron shpërblimin e Zotit"? Burri i tha: "Po". Profeti a.s. i tha: "Atëherë shko tek prindërit dhe kujdesu për ta", (Muslimi).

Imam Taberanij transmeton, se Enes ibnu Malik ka thënë: "Një burrë erdhi tek Profeti a.s. dhe i tha: "Unë dua të marr pjesë në luftë, por nuk mundem". Profeti a.s. e pyeti: "A ke ndonjë nga prindërit gjallë"? Burri u përgjigj: "Po, kam nënën". Profeti a.s. i tha: "Kij frikë Zotin dhe shko respeko nënën! Nëse e bën këtë, ke fituar shpërblimin e haxhit, umres dhe luftës"", (Ebu Ja'la).

Profeti a.s. e konsideron si luftëtar edhe atë që përkujdeset për familjen dhe njerëzit e tij, duke u siguruar nevojat, ruajtur nderin, mbrojtur krahët, lehtësuar vështirësitë etj.. Profeti a.s. e thotë këtë në një hadith: "Kushdo që përkujdeset për familjen e një luftëtari, është njëlloj si të ketë marrë pjesë në luftë", (Buhariu).

Luftëtar nuk është vetëm ai që mban armët dhe lufton në mbrojtje të atdheut, por edhe ai që kujdeset për familjet e luftëtarëve, duke u shërbyer fëmijëve të tij si të ishte i ati. Ky person shpërblehet nga Zoti, sepse ai ia mundëson luftëtarit të japë maksimumin në betejë, pasi është i qetë për familjen. Ai nuk e ka më mendjen tek fëmijët, pasi e gjithë shoqëria islame është në shërbimin e tyre, u plotëson nevojat me kënaqësi dhe pa siklet.

Kështu, shohim që Profeti a.s. hap për njerëzit më shumë se një portë për xhihadin dhe në rastin konkret u ofron xhihadin civil. Me këtë, ai i mësonte shokët e tij dhe myslimanët, që t'i hapin sytë në më shumë se një fushë, duke bërë xhihad jo me armatime, por me kontribut social.


Xhihadi ekonomik

Tek xhihadi civil, hyn dhe xhihadi ekonomik, i cili është rendje pas fitimit dhe përmirësimit të jetesës mbi sipërfaqen e tokës, të cilën Zoti e ka nënshtruar për njerëzit.

Kab ibnu Uxhre tregon, se një burrë kaloi me hov pranë të dërguarit të Zotit dhe shokëve të tij. Këta të fundit thanë: "Ah sikur ta kishte këtë hov në rrugë të Zotit"! Profeti a.s. u përgjigj: "Nëse ka dalë për të siguruar bukën e fëmijëve të vegjël, ai është në rrugë të Zotit. Nëse ka dalë për të plotësuar nevojat e dy prindërve të tij të moshuar, ai është në rrugë të Zotit. Nëse ka dalë për të plotësuar nevojat e vetes, për të mos i zgjatur duart tek harami, ai është në rrugë të Zotit. E nëse ka dalë për tu mburrur dhe për tu dukur, ai është në rrugë të dreqit", (Taberaniu).

Kur myslimanët e panë hovin, energjinë dhe fuqinë e këtij personi, uruan që t'i përdorë për xhihad ushtarak. Preokupimi i tyre më i madh asokohe ishte, që kapacitetet dhe energjitë t'i t'i përdornin për mbrojtjen dhe përballjen me armiqtë e jashtëm, të cilët intrigonin dhe ngrinin pusi ndaj myslimanëve, për t'i shfarosur nga faqja e dheut. Megjithatë, Profeti a.s. ua zgjeroi konceptin e xhihadit, i cili s'ka përse të kufizohet vetëm në sferën ushtarake. Ai u tregoi, se kushdo që punon për të siguruar bukën e fëmijëve dhe të prindërve, apo qoftë dhe për të plotësuar nevojat e tij, larg haramit, është në rrugë të Zotit dhe në xhihad.

Profeti a.s. u fokusua tek nijet dhe motivi që fshihet pas aktivitetit. Përderisa ky nijet dhe motiv është i ndershëm, për të plotësuar nevojat ekonomike të ligjshme të një familjeje dhe shoqërie, apo qoftë dhe ato individuale, atëherë ky aktivitet konsiderohet xhihad në rrugë të Zotit. Por nëse ky aktivitet bëhet për qëllime të mbrapshta, për tu mburrur dhe për tu dukur para njerëzve, ai ka dalë nga linja e përgjithshme e rrugës së Zotit dhe është zhvendosur në linjën e dreqit të mallkuar.

Xhihadi ekonomik është një degë e xhihadit civil. Çdo veprimtari që e zhvillon ekonominë, duke e nxjerrë nga qarku i konsumit në prodhim, nga importi në eksport, nga vartësia në pavarësi, është pjesë e xhihadit civil.

Tradita profetike nxit dhe shtyn drejt integrimit ekonomik, për të mos u vetëmjaftuar me disa elementë të ekonomisë, duke lënë pas dore elementët e tjerë, si duke u vetëmjaftuar me bujqësinë pa teknologjinë. Diçka e tillë e ekspozon umetin ndaj rreziqeve. Profeti a.s. thotë: "Nëse merreni me hile dhe kamatë, kënaqeni vetëm me bujqësi, u shkoni pas bishtave të lopëve dhe hiqni dorë nga xhihadi në rrugë të Zotit, Ai do u poshtërojë dhe do të mbeteni në këtë gjendje, derisa t'i ktheheni fesë së Zotit".

Fillimisht, Profeti a.s. i paralajmëron njerëzit mbi rreziqet e kamatës, ku shumë njerëz fillojnë të bëjnë shit-bjerje formale, për t'i shpëtuar kamatës së qartë. Mandej, ai vë theksin tek marrja vetëm me bujqësi, duke anashkaluar elementët integrues të ekonomisë, siç është teknologjia dhe zanatet e ndryshme. Ai e dënon reduktimin e ambicieve në rendjen pas bishtave të lopëve dhe braktisjen e misionit të umetit dhe zhvillimit të tij. Mund të thuhet se kemi të bëjmë me heqje dorë nga xhihadi në rrugë të Zotit, atëherë kur secili mendon vetëm për veten dhe interesat e tij, duke mos i kushtuar vëmendje problemeve të umetit. Në këtë rast nuk duhet të habitemi, nëse Zoti i poshtëron ata njerëz që e bëjnë këtë dhe ua heq këtë poshtërim vetëm pasi t'i jenë kthyer fesë së Zotit, ta studiojnë dhe kuptojnë siç duhet dhe të veprojnë sipas direktivave të saj.


Xhihadi edukativ

Ky lloj xhihadi ka të bëjë me arsimin dhe edukimin, ndërtimin e shkollave dhe arsimimin e myslimanëve, gjë e cila do u mbrojë identitetin dhe përkatësinë. Vetëm kështu kultivohet në mendje dhe zemra dashuria për fenë, umetin dhe atdheun. Vetëm kështu njerëzit nuk do ta ngelizhojnë asnjërën prej tyre.

Xhihadi edukativ është i domosdoshëm për formimin e një umeti të aftë për të mbajtur misionin dhe për t'ia përcjellë mbarë botës. Nëse një mjet nuk përmbush një obligim, atëherë themi se xhihadi edukativ është i obliguar.


Xhihadi shëndetësor

Ky xhihad përmbushet me ndërtimin e spitaleve dhe qendrave shëndetësore, ku u mundësohet të sëmurëve dhe shëndetligëve të kurohen dhe marrin trajtimin e duhur mjekësor. Ai kontribuon në ndërgjegjësimin e komunitetit mbi kujdesin për shëndetin dhe rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve. Një dërhem që shpenzohet për parandalimin e një sëmundje, është më i vlefshëm se një okë flori që shpenzohet për shërimin e saj. Pra mendja e shëndoshë, në trup të shëndoshë.


Xhihadi ambientalist

Është ai lloj xhihadi, i cili përpiqet për të ruajtur ambientin e pastër dhe e ruan atë nga ndotja. Një ambient i ndotur ndikon negativisht në të gjithë jetën tonë. Ai ndikon në bujqësi dhe në ripërtëritje. Zoti nuk e do keqbërjen dhe prishjen e balancave. Prandaj Ai na urdhëron, që të kujdesemi për ambientin dhe ta mbrojmë nga gjithçka që e ndot atë.



Autor: Shejh Jusuf Kardavi

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...