Rruga radikale: Salafizmi në Ballkan



Përfundimi i konflikteve në Ballkanin Perëndimor u përcoll nga shtimi i formave radikale të Islamit - veçanërisht në Kosovë. Rritja e radikalizmit islam në të gjithë botën është bërë një shqetësim i madh për bashkësinë ndërkombëtare.

Në Ballkan, popullata myslimane tradicionalisht ka qenë relativisht sekulare dhe e moderuar, bazuar në shkollat e mendimit për një islamizëm liberal.

Sidoqoftë, vitet '90, të karakterizuara nga konfliktet rajonale që deformuan rajonin, mijëra myslimanë radikalë të lindur jashtë vendit arritën në Bosnjë për t'i ndihmuar "vëllezërit e tyre në nevojë" dhe për ta përhapur ideologjinë ekstremiste Salafi në Evropën Lindore.

Shumica e popullatës myslimane në Ballkanin Perëndimor, megjithatë, vazhdon të kundërshtojë retorikën shpeshherë të dhunshme të predikuesve Salafistë. Kjo ka çuar në një varg konfliktesh të brendshme ndërmjet klerikëve në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Shqipëri, Maqedoni sikurse ndërmjet ithtarëve të shkollave më liberale si Hanafi apo Sufi dhe atyre të traditave ultra-konservative të Salafistëve.

Incidentet e fundit të dhunshme - një pjesë e të cilave rezultoi me vrasjen e civilëve të pafajshëm, sikurse numri në rritje i mbështetësve të doktrinave radikale, lënë të kuptojnë se zgjerimi i Islamit radikal në Ballkanin Perëndimor mund të paraqesë një kërcënim për stabilitetin rajonal.


Ekstremizmi në Kosovë

Procesi i transplantimeve fetare në Kosovë nisi më 1999, shumë shpejt pas përfundimit të konfliktit me Serbinë. Salafizmi u importua në Kosovë nga organizata të caktuara Islame që vepronin në emër të agjencive humanitare. Intervistat që HIS Jane zhvilloi me politikanë të njohur dhe zyrtarë të sundimit të ligjit në Kosovë, konfirmuan se organizatat islame janë duke vepruar në Kosovë përgjatë pothuaj një dekade dhe se kanë arritur të krijojnë një rrjet ndikues social, me qëllim depërtimin në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe shndërrimin e identitetit kombëtar shqiptar në një identitet fetar. Edhe pse një pjesë e këtyre organizatave nuk ka ndonjë agjendë radikale apo të dhunshme, organizata të caktuara përhapin pikëpamjet e tyre më ekstremiste.

Drejtori ekzekutiv i një organizate të njohur joqeveritare - njëherësh ish-politikan kosovar, i tha HIS Jane se: "Konfliktet, që shpartalluan kohezionin social dhe strukturat familjare, mungesa e institucioneve, sikurse depërtimi i një numri të madh të organizatave bamirëse fetare, kanë ndihmuar përhapjen e Islamit radikal në Kosovë. Gjatë dekadës së fundit, shqiptarët në Kosovë janë bërë më konservativë dhe po i kthehen tani gjithnjë e më shumë fesë".

Në fakt, rënia e komunizmit - e shoqëruar me rënien e autoritetit shtetëror dhe zvogëlimin e papritur të fuqisë detyruese të aparatit të sigurisë së shtetit, i la njerëzit në një sistem multi-lojal, të ndarë ndërmjet traditave, fesë, ligjit komunist, ligjit të perëndimit dhe kulturave të njohura.

Në shtete si Shqipëria, Bosnja, Maqedonia dhe Kosova, ku mungonin normat dhe rregullat e qarta, një numër i madh i popullatës iu kthye fesë dhe ligjeve të lashta të së drejtës zakonore për ta shmangur anarkinë.

Për më tepër, Kosova mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, për vitet 2010-2011, numri i papunësisë përllogaritet të jetë më shumë se 45 për qind, me 17 për qind të popullatës që jeton në varfëri ekstreme. Sipas një raporti mbi korrupsionin në Ballkanin Perëndimor, të publikuar më 2011 nga Zyra për Narkotikë dhe Krime e Kombeve të Bashkuara, njerëzit në rajon, e veçanërisht në Kosovë, e cilësojnë papunësinë dhe varfërinë si kërcënim kryesor për shoqërinë.

Kthimi te praktikat fetare në prag të kolapsit të regjimit komunist - i kombinuar me situatën e tmerrshme ekonomike, me tensionet e fuqishme ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve etnik dhe me korrupsionin sistematik të qeverisë - ia ka hapur derën formave të reja të ekstremizmit fetar, nga i cili kanë synuar të përfitojnë individë dhe organizata të caktuara.

Një shembull i kësaj është parë në Marinë - një fshat në Kosovë, ku autoritetet arrestuan dhe dëbuan Xhemajl Dukën, i cili sipas Ministrisë së Brendshme të vendit, po vepronte ilegalisht si hoxhë në xhaminë e fshatit duke u ofruar bonjakëve, fëmijëve dhe familjeve të varfra ndihmë në shkëmbim të pranimit të besimit islam nga ta. Ai u dëbua gjoja për shkeljen e ligjeve sa u përket ndërkombëtarëve që po jetonin në Kosovë.


Interpretimet fetare

Islami në Kosovë ka një traditë të qëndrueshme që daton në kohën e okupimit osman të Ballkanit në shekullin XVI. Myslimanët në Kosovë janë në përgjithësi trashëgimtarë të islamit osman, bazuar kryesisht në urdhrat Hanefi dhe Bektashinj. Këto dy shkolla kanë ekzistuar për shekuj me radhë në Kosovë - që nga fillimi i shtrirjes së ndikimit osman në Ballkan e deri më sot.

Në mesin e shkollave të themeluara të myslimanëve Suni, shkolla Hanefi ka një reputacion për vendosjen e theksit te roli i arsyes dhe mendimit liberal. Bektashinjtë gjithashtu preferojnë bashkëjetesën dhe pluralizmin ndërfetar.

Për më tepër, pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova udhëhiqej nga autoritetet socialiste sekulare në Republikën Socialiste Federale të Jugosllavisë - periudhë kjo, gjatë së cilës Kosova u sekularizua dhe feja u mbajt kryesisht larg sferës publike.

Nisja e përplasjeve ndërmjet Islamit modern dhe atij radikal më 1999 rezultoi në rivalitet ndërmjet klerikëve të rinj - që kishin udhëtuar në vendet arabe për edukimin e tyre fetar, në mungesë të resurseve në Kosovë dhe me qëllim vendosjen e Salafizmit në rajon - dhe myslimanëve të tjerë që preferonin mbajtjen e traditave të Islamit osman.

Si rezultat, më shumë se një dekadë pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, raportet si ai i 2012-s të Komisionit të Shteteve të Bashkuara për Liritë e Brendshme Fetare (USCIRF), thonë se fondet e një varg shtetesh islame si Arabia Saudite e të tjera, vazhdojnë të sponsorojnë agjenci të ndryshme që shpërndajnë literaturë ekstremiste dhe predikojnë Islamin fundamentalist në Kosovë dhe rajon.


Tensionet fetare

Incidentet që vunë në pah tensionet fetare kanë shkaktuar një debat publik në Kosovë.

Në nëntor të vitit 2011, një kryq i thyer ishte vizatuar në një varrezë historike hebraike në Prishtinë. Dëmtimi i varrezës hebraike u dënua nga politikanët sikurse nga autoritetet e sigurisë. Zëvendës-komandanti i Policisë Rajonale në Prishtinë, Rexhep Sijarina, u tha mediave lokale se informatat e qytetarëve që jetonin në atë zonë, konfirmuan se "dy meshkuj me mjekër" - një përshkrim që shqiptarët e përdorin për t'i përshkruar radikalët islamikë, ishin përgjegjës për krimin. Shërbimi Inteligjent i Policisë njoftoi se mbështetësit e ekstremistëve të sektit Vahabi besohet të kenë qenë përgjegjës.

Zyrtarë të lartë të Qeverisë kanë shfaqur gjithashtu shqetësimin rreth ndikimit të fundamentalizmit islam. Gjatë një interviste për mediumin gjerman, Deutsche Welle, ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, pranoi ekzistimin e grupeve ekstremiste Salafi, ndërsa ritheksoi se forcat e sigurisë po monitoronin ata në rast të ndonjë veprimi të dyshimtë.

Dhuna ndëretnike që u atribuohet Salafistëve, po shkakton ndarje përbrenda komunitetit Islam në Kosovë. Në disa raste, mediat lokale raportuan për dhunë si rezultat i mosmarrëveshjeve rreth ideologjisë ndërmjet Salafistëve dhe mbështetësve të islamit të zakonshëm. Në vitin 2009, në mediat lokale raportohej se nëntë ekstremistë Salafi kanë rrahur Mullah Osman Musliun, kreun e Bashkësisë Islame në Drenas dhe një kritik i hapur i radikalzimit fetar.

Ejup Krasniqi, bibliotekar në Fakultetin për Studime Islame dhe hoxhë në fshatin Makovc të Prishtinës tha gjithashtu se është sulmuar nga salafistë të maskuar në shkurt të vitit 2009. Në deklaratat dhënë mediave lokale, ai tha se është rrahur dhe kërcënuar me armë zjarri për shkak të "moszbatimit të adekuat të haditheve të profetit".

Policia raportoi për sulme të tjera mbi zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës, përfshirë Sabri Bajgorën - kryeimamin e BIK-ut. Burime qeveritare i thanë HIS Jane se Salafistët kanë potencial të nxisin urrejtje dhe të krijojnë tensione në mesin e shqiptarëve, që u takojnë tri rrymave kryesore fetare: myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve.


Zhvillimet rajonale

Islamizmi radikal nuk ka prekur vetëm Kosovën. Në muajin prill, 800 policë ishin të përfshirë në operacionin e koduar "Monster" për t'i bastisur 26 shtëpi në rrethinën e kryeqytetit maqedonas - Shkupin, ku u konfiskuan armë, xhaketat e papërshkueshme nga plumbat dhe literatura radikale islame.

Policia maqedonase arrestoi gjithashtu 20 islamistë radikalë për vrasjen e pesë peshkatarëve maqedonas të qëlluar për vdekje, trupat e të cilëve qenë gjetur në Shkup, më 13 prill.

Ky nuk ishte incidenti i parë në Maqedoni që vërteton ndikimin në rritje Salafist në rajon. Qendra për Pluralizëm Islam në Maqedoni raportoi mbi agresionin e islamistëve Salafistë ndaj Teqesë Arabat në Tetovë, institucionin më të madh Sufi në ish-Jugosllavi.

Qendra raportoi në shkurt të 2012-s se "Situata është bërë aq e keqe sa që turmat e Salafistëve pengojnë hyrjen e vizitorëve në Teqe. Vahabistët tani kanë okupuar pjesët kryesore të Teqesë duke ua kufizuar qasjen në të kujdestarëve të dikurshëm të Teqesë. Në javën e parë të marsit 2008, radikalët nisën të gjuajnë me armë zjarri gjatë natës në pronën e Teqesë si përpjekje të paligjshme për të frikësuar kujdestarët e saj".

Por, ka edhe dokumente të tjera që flasin për ndikimin e Salafistëve në rajon. Më 2005 u konfiskuan Kullat Binjake në Tiranë - pronë e përbashkët e konstruktorit saudit, Jasin Al Kadi dhe tre investitorëve shqiptarë. Al Kadi u radhit në listën e terroristëve të Shteteve të Bashkuara në vitin 2001 për shkak të dyshimeve rreth rolit të tij në shpëlarjen e parasë për Al-Kaidan.

Boshnjaku Mevlid Jashareviq, një ithtar i sektit Salafist u akuzua për hapjen e zjarrit ndaj Ambasadës Amerikane në Sarajevë në vitin 2011. Gjatë sulmeve u plagos një polic para se Jashareviq u plagos në këmbë. Në ndërkohë, ish-ekspertët e Misionit Asistues të Policisë për Komunitetin Evropian të Shqipërisë (PAMECA) thanë se klerikët e xhamive të ndërtuara me fondet nga Lindja e Mesme në Shqipëri po predikonin gjithashtu ekstremizmin islam.


Sfidat e ardhshme

Itharët e Salafistëve kanë përfituar nga dobësitë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si paqëndrueshmëria politike dhe niveli i lartë i papunësisë, për t'i shfrytëzuar myslimanët e zakonshëm në avancimin e agjendave ekstremiste dhe fundamentaliste. Kjo është shfaqur gjatë një procesi të indoktrinimit, infiltrimit dhe subvencioneve financiare.

Për më shumë, radikalizmi islam nuk është ende në krye të agjendave të agjencive për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, gjë që u ka ofruar ekstremistëve hapësirë dhe kushte për t'u përhapur.

Sidoqoftë, ekspertët e sigurisë të intervistuar nga HIS Jane nuk thanë se ka ndonjë kërcënim të afërt nga kërcënimi Salafist, edhe pse qeveritë dhe agjencitë për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor kanë nisur ta ndjejnë presionin e fundamentalistëve islamë. Ky kërcënim mund të marrë formën e dhunës së drejtpërdrejtë dhe të sulmeve terroriste, ose tendencave për nxitjen e konflikteve e tensioneve ndëretnike.

Sundimi i dobët i ligjit nënkupton rritjen eventuale të tensioneve dhe pasigurisë, përhapjen e tyre përtej kufijve, nëse nuk kundërshtohen lëvizjet ekstremiste të adhuruesve të tyre - gjë që lë të hapur mundësinë për destabilizimin e mëtejmë të rajonit.

Ky është një kërcënim, shpërthimi i shpejtë i të cilit nuk është aq kërcënues krahasuar me problemet si krimi i organizuar apo jostabiliteti politik, por që mund të paraqesë një rrezik më të madh në të ardhmen, nëse ideologjive ekstreme u lejohet të shpërndahen më tej.



Përgatiti: rel, gusht 2012.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...