Në vend të reagimit!



Së paku në bindjen time nuk ekziston asnjë dilemë se: 'çdo njeri që e ndien veten se është mysliman, që dëshmon shehadetin, pavarësisht nga gjuha e tij që e flet dhe pavarësisht se ku jeton e të mos ishte ndier i shqetësuar në momentet kur fyhet islami, vlerat islame e veçanërisht kur fyhet dhe ofendohet i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe personaliteti i tij, si ishte rasti i filmit të fundit dhe karikaturave'. Në këto raste të nderuar besimtarë islam, në rastet kur provokohemi dhe ngacmohemi nga dikush nga jashtë, kur ofendohemi në baza fetare reagimi i jonë nuk guxon assesi të jetë emocional, i palogjikshëm dhe arrogant, por duhet të reagojmë në mënyrë të mençur, të urtë, të saktë dhe të duhur konform parimeve të dinit tonë dhe mësimeve tona që na ka mësuar mësuesi dhe pedagogu i njerëzisë, Muhamedi a.s.. Kështu na ka mësuar edukatori i njerëzisë s.a.v.s..

Në këto momente më kujtohet rasti kur Ebu Xhehli e kishte provokuar dhe ofenduar drejtpërdrejtë të Dërguarin e Allahut xh.sh. duke i thënë: "O Muhamed, asnjëherë në jetën time nuk kam parë fytyrë më të vrazhdët, fytyrë më të shëmtuar se sa fytyra jote"!! Shokët e tij, deshën të reagojnë në bazë emocionale, por i dërguari i Allahut s.a.v.s. i ndaloi duke i sinjalizuar me dorë të heshtin, ngase për këtë Ebu Xhehlit do ti japë përgjigje të saktë, si në aspektin pedagogjik, shkencor dhe racional. Andaj iu drejtua Ebu Xhehlit duke i thënë: "E vërtetë është, ashtu si thua ti o Ebu Xhehl".

Të nesërmen Ebu Bekri r.a. e takon Pegamberin a.s. dhe i thotë: "O i Dërguari i All-llahut s.a.v.s., asnjëherë në jetën time nuk kam parë fytyrë më të bukur, më të ëmbël dhe më të dashur se sa fytyrën tënde". Pejgamberi a.s. i tha: "Ke të drejtë o Ebu Bekr". Edhe kjo është përgjigje e saktë, racionale dhe shkencore.

Çka mësojmë nga këto dy përgjigje që i shpalosi pedagogu i njerëzisë!? Për këtë e pyeti Ebu Bekri Pejgamberin a.s.: "O i Dërguari i Allahut, si mund që edhe ai (ebu Xhehli) e edhe unë të jemi në të drejtë kur kemi qëndrime të kundërta". Pejgamberi a.s. iu përgjigj: "O Ebu Bekr, syri është mjet, kurse drita buron nga zemra, e zemra e jote është për plotë me iman, kurse e tija është plotë me kufr".

Pra, do të ishte gabim trashanik dhe absurd që të kërkosh nga Ebu Xhehli që, edhe ai të shohë me dritën apo syrin e Ebu Bekrit.

Sprovat që vijnë nga të tillët, unë nuk po them se duhet anashkaluar pa përgjigje, por nuk guxojnë të na shqetësojë deri në atë nivel, që myslimanët kudo në botë të çrregullojnë ekuilibrin e tyre. Nuk guxon që hidhërimi të ngritët në atë nivel që të dominojë mbi mendjen e shëndoshë. Kjo nuk i shërben as islamit e as myslimanëve, sepse armikut po i tregojmë se sa herë që është i interesuar të godasë myslimanët në identitetin e tyre, në kompaktësinë e tyre, në ekonominë e tyre, duhet të shtypë nga një buton të tillë. Kjo tregon se sa herë që armiku të dëshirojë të çekuilibrojë myslimanët anë e kënd botës, këtë mund ta bëjë me një veprim shumë të thjesht qoftë edhe qesharak e irracional.

Protestat që po i bëjnë anë e kënd botës më duket se nuk janë mirë të kontrolluara nga dashamirët e islamit, nga ata që e duan Allahun dhe të dërguarin e Tij. Më duket se problemi esencial dhe më serioz qëndron në radhët tona, sepse kam shumë bindje se po të ishin radhët tona të ngjeshura sipas asaj që na ka mësuar Muhamedi a.s. edhe armiku nuk do kishte marrë guximin për ta shtypë butonin e fyerjes. Këtë po e them sepse kjo është dëshmuar shumë herë gjatë historisë së Islamit nëpër shekuj.

Unë në parim, nuk jam kundër protestave, por ato duhet të jenë paqësore, mirë të organizuara, dinjitoze sepse vetëm kështu arrin mesazhi i protestave deri në adresën e duhur. Sikur protestat tona të ishin të këtij lloji, të mbështetura në parime islame, logjikë të shëndoshë dhe mençuri, në dinjitet dhe sinqeritet, betohem në All-llahin se armiku nuk do të kishte pasur dëshirë që edhe njëherë të shohë protesta të tilla. Përderisa ne bëjmë protesta ku vritemi ne myslimanët mes veti, thyejmë, shkatërrojmë dhe rrënojmë ekonominë tonë, atëherë, cila është adresa e mesazhit të protestave ?! Kujt i shkon për shtati të vriten myslimanët mes veti, përveç atij që i nxiti dhe këto reagime. Nga këto ngjarje armiku i jonë mëson se sa herë që të dëshiroj të bëjë vëllavrasje mes myslimanëve para gjumit e shtyp butonin, pastaj myslimanët merren me muaj e ndoshta edhe me vite me këtë raste, e ai bënë punën e tij derisa neve të drejtohemi mes veti se cili është fajtor e cili jo.

Pra të nderuar besimtarë, reagimet duhej gjithsesi të jenë, por jo të pa kontrolluar, me pasoja dhe viktima mes nesh siç po ndodhë tani. Reagimet duhet të jenë institucionale, diplomatike dhe racionale, 'e këtë duhet ta bëjnë institucionet legjitime të udhëhequr nga populli që kanë marrë besimin e tyre dhe janë betuar se do të mbrojnë këtë popull me të gjitha elementet e tyre'. Nëse kjo nuk ndodhë, 'atëherë duhet protestuar kundër udhëheqësve tanë, kundër njerëzve që morën besimin tonë se do të mbrojnë interesat tona e jo kundër armikut'. Bindja ime është se Islamin dhe myslimanët asnjëherë dhe askush nuk mund ti dobësojë apo shkatërrojë nga jashtë, por ato dobësohen dhe shkatërrohen nga brenda, nga vetë ata, ky është problemi i jonë esencial, e jo i armikut, sepse ai asnjëherë nuk bëhet mik.

Në fund të fundit po përfundoj me faktin se armiqtë e Allahut, armiqtë e Muhamedit a.s., armiqtë e Islamit dhe të myslimanëve këtë e kanë obligim, por ne nuk guxojmë të biem pre e tyre dhe të bëhemi mish për top. Fyerjet e tilla si kjo e fundit, por gjithsesi nuk do të jenë të fundit kundër islamit dhe myslimanëve nuk janë asgjë tjetër vetëm dëshmi e injorancës, jocivilizimit, shtazërisë së atyre që pretendojnë se janë të civilizuar e kulturuar. Ne me çdo kusht duhet të dallohemi prej tyre në të gjitha këto sfera.

Po e përfundoj këtë mendim timin me ajetin Kur'anor ku Allahu xh.sh. u përgjigjet qafirave duke u thënë: "Ata duan ta shuajnë dritën e All-llahut me gojët e tyre, po All-llahu e plotëson (e përhap) dritën e vet, edhe pse e urrejnë jobesimtarët".



Autor: Jusuf ZIMERI

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...